Irani regjistron 97 vdekje të reja nga koronavirusi
BKT
   Bota

Irani regjistron 97 vdekje të reja nga koronavirusi

Televizioni shtetëror iranian raportoi të shtunën se 97 persona kanë vdekur së fundi për shkak të koronavirusit, duke e çuar në 611 numrin e përgjithshëm të viktimave. Mbi 12 mijë persona janë infketuar.

Irani është vendi më i goditur nga virusi në Lindjen e Mesme. Në këtë shtet tashmë janë infektuar edhe disa zyrtarë të lartë, përfshirë deputetët, shkruan “Associated Press”.

Ndërkohë Arabia Saudite njoftoi më herët se do t’i ndërpresë të gjitha fluturimet ndërkombëtare për dy javë si masë për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit Covid-19.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, zyrtarët shëndetësorë dhanë urdhër që personat e moshuar të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa një pjesë e punëtorëve të sektorit publik mund ta fillojë punën nga shtëpia për dy javët e ardhshme.

Në mbarë botën tashmë janë anuluar shumë ngjarje, konferenca, tubime dhe aktivitete sportive. Virusi i ri është shumë ngjitës dhe madje edhe personat që nuk kanë simptoma mund ta përhapin atë tek të tjerët.