Joe Biden shënon fitore në Florida, Arizona dhe Illinois
BKT
   Bota

Joe Biden shënon fitore në Florida, Arizona dhe Illinois

Kandidati për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike dhe ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet brenda partisë në Florida, Illinois dhe Arizona, duke e vazhduar mbizotërimin në garë për tri javë me radhë.

“Fushata jonë e pati një mbrëmje shumë të mirë dhe është pak më afër sigurimit të nominimit të Partisë Demokratike për president”, tha Biden gjatë një fjalimi nga shtëpia e tij, i cili u transmetua përmes video-lidhjes.

Ky rezultat erdhi pasi në anën tjetër, presidenti Donald Trump e siguroi formalisht nominimin nga Partia Republikane, duke e kaluar pragun e nevojshëm të delegatëve pasi nuk u përball me kundërshtime të theksuara, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Zgjedhjet partiake u shtyen në Ohio për shkak të krizës së koronavirusit, ndonëse një gjykatë e kishte refuzuar paraprakisht këtë masë. Sidoqoftë, vendimi në fund u mor nga guvernatori dhe Departamenti i Shëndetësisë.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara pritet të mbahen në nëntor të këtij viti, ndërsa dy kandidatët më seriozë për ta sfiduar presidentin e tanishëm janë Joe Biden dhe Bernie Sanders.