Sekretari i Përgjithshëm i OKB: Pandemia është e kontrollueshme
Tashmë që janë konfirmuar më shumë se 219,964 persona të prekur me koronavirus në të gjithë botën, nga të cilët mbi 8,979 kanë humbur jetën dhe frika është rritur ndjeshëm te të gjithë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkon të rikthejë qetësinë.
Me anë të një video-mesazhi të shkurtër, Antonio Guterres është shprehur se pandemia është e kontrollueshme, pavarësisht përmasave aktuale të saj, por për ta bërë këtë është e nevojshme përpjekja e të gjithëve.
“Ky është momenti i maturisë, jo i panikut; i shkencës, jo i stigmatizimit; i fakteve, jo i frikës: megjithëse situata është klasifikuar si një pandemi, kjo është e kontrollueshme, por do të kërkojë një përpjekje personale, kombëtare dhe ndërkombëtare të jashtëzakonshme”, është shprehur sekretari i Përgjithshëm i OKB.























