Italia nuk do të marrë "masa të reja shtrënguese" kundër Covid-19
"Duhet të veprohet me nivel të lartë të vetëdijësimit. Ata që do të shkelin rregullat do të gjobiten. Pajtohem me vendimin e kryetarëve të bashkive për mbylljen e parqeve dhe kopshteve", tha kryeministri italian, Conte.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë për masa të reja shtrënguese dhe se duhet të respektohen rregullat ekzistuese, raporton Anadolu Agency.
Numri i të vdekurve ka arritur në 2.978 ndërsa numri i të prekurve në 35.713.
Conte në një prononcim për gazetën "Corriere della Serra" bëri thirrje për sens të përbashkët dhe përgjegjësi.
Ai tha se masat kufizuese janë në fuqi, por pasi të arrihet kulminacioni në numrin e rasteve dhe vdekjeve, do të fillojë të zbresin numrat por menjëherë nuk do të normalizohet jeta.
"Duhet të veprohet me nivel të lartë të vetëdijësimit. Ata që do të shkelin rregullat do të gjobiten. Pajtohem me vendimin e kryetarëve të bashkive për mbylljen e parqeve dhe kopshteve. Tani për tani nuk ka masa tjera gjithëpërfshirëse por do duhet të veprojmë në rast se nuk respektohen rregullat", tha ai.
Ministrja e Brendshme, Luciana Lamorgese në deklaratën për gazetën "La Repubblica", tha se janë duke kaluar ditë kritike dhe bëri thirrje tek të gjithë që të veprojnë me përgjegjësi.
- Italianët në mbështetje të qeverisë së tyre
Ndërkohë, sipas rezultatit të një hulumtimi të publikuar në gazetën "La Repubblica", për shkak të gjendjes urgjente që koronavirus i shkaktoi vendit, të gjitha aktivitetet politike janë anuluar. Në një sondazh, 71 për qind e italianëve mbështesin kryeministrin Conte dhe qeverinë.
Në një artikull tjetër të gazetës, thuhet se pushimi i detyrueshëm tek shkollat dhe universitet e mbyllura deri më prill 3 mund të zgjatet.
- Kamionët ushtarakë i bartin kufomat
Në Bergamo, ku ditëve të fundit u shënuan më shumë raste dhe vdekje, hyjnë shumë kamionë ushtarakë në orët e mëngjesit.
Sipas mediave, automjetet ushtarake kanë marrë rreth 60 kufoma për t'i dërguar në varrim ose krematoret e qyteteve të tjera.
- Pjesa e dytë e materialeve me ndihmë arriti nga Kina
Ndërkohë, pjesa e dytë e materialeve me ndihma të dërguar nga Kina mbrëmë arriti në qytetin verior të vendit, Milano.
Në paketën e fundit të ndihmave, bëjnë pjesë 400 mijë maska, 5.000 kostume mbrojtëse mjekësore, respiratorë, dorëza dhe syze mbrojtëse për rajonin e Lombardisë.
Kujtojmë se Italia është shndërruar në epiqendër të koronavirusit (Covid-19) në Evropë.























