Tusk: Sjellje “nacionaliste” në BE në luftën kundër koronavirusit
BKT
   Bota

Tusk: Sjellje “nacionaliste” në BE në luftën kundër koronavirusit

Kreu i Partisë Popullore Evropiane (PPE) dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dënoi sjelljet “nacionaliste” të shteteve anëtare të BE-së në luftën kundër koronavirusit, duke kërkuar më shumë bashkëpunim, në një intervistë të publikuar sot në Poloni.

Ish-kryeministri polak komentoi në gazetën “Gazeta Wyborcza” mendimet e formuluara nga dy palët mbi dobësinë e përgjigjes evropiane përballë epidemisë.

Të mërkurën, në prezantimin e programit mbështetës për ekonominë, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki kritikoi BE-në për mos hapjen e fondeve të reja të ndihmës dhe për mosreagim aq të shpejtë sa shtetet kombëtare.

“Duhet bërë diferencë mes fakteve dhe një propagande anti-BE. Vite më parë, ishin shtetet anëtare që vendosën t’i lënë çështjet shëndetësore në kompetencë të qeverive kombëtare”, nënvizoi Tusk, i karantinuar në Bruksel.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë as për dobësi të BE-së, as për një mungesë të mjeteve, por hezitimi i vendeve anëtare për të vendosur një strategji, procedura dhe standarde të përbashkëta”, ndërkohë që zgjidhjet kombëtare shtetërore nuk do të funksionojnë për një kohë të gjatë sepse virusi është kozmopolitik.

“Ne kemi nevojë për Bashkimin Evropian si kurrë më parë, një BE më e bashkuar, e pajisur me më shumë instrumente dhe fuqi”, nënvizoi ai duke kërkuar një mbrojtje të vlerave demokratike në një kohë kur është shfaqur në horizont një krizë sociale.

Kjo krizë rrezikon të godasë vetë thelbin e Perëndimit, lirinë dhe pavarësinë e individit, por edhe vlerat e BE-së, solidaritetin, hapjen, tolerancën, tregun e lirë.

Ai kujtoi se samiti tjetër i Këshillit Evropian do të duhet të vendosë për financat e BE-së për kohëra pandemish.