Ish-kryeministri i Xhammu Kashmirit lirohet pas 8 muajve në burg
Abdullah u arrestua vitin e kaluar më 4 gusht, një ditë përpara se India t`i heqte Xhammu Kashmirit statusin e veçantë.
Ish-kryeministri i rajonit të Kashmirit të administruar nga India, Omar Abdullah, u la i lirë sot pas afro tetë muajve në arrest, transmeton Anadolu Agency.
Në një njoftim në Twitter, zëdhënësi i qeverisë Rohit Kansal informoi se autoritetet kanë revokuar arrestimin e Abdullahut, i cili mbahej sipas një ligji kontrovers.
Abdullah, 50 vjeç, president aktual i Kongresit Kombëtar, partisë më të vjetër politike të rajonit, u arrestua vitin e kaluar më 4 gusht, një ditë përpara se India t'i heqte Xhammu Kashmirit statusin e veçantë dhe të ndante rajonin në dy territore të administruara nga qendra.
Ai ka mbajtur postin e kryeministrit në periudhën 2009-2014.
Abdullah mbahej në burg sipas Aktit të Sigurisë Publike (PSA), sipas të cilit qeveria indiane mund të mbajë në burgim pa gjykim deri në tre muaj personat për të cilët vlerëson se "prishin rendin publik", ndërsa këtë afat mund ta zgjasë deri në gjashtë muaj. Ndërkaq, nëse vlerësohet se një person kërcënon sigurinë e shtetit, ai mund të mbahet në arrest për dy vite.
Ndërkohë, shumë politikanë të tjerë, përfshirë Mehbooba Mufti, vazhdojnë të jenë në arrest.
Kashmiri mbahet nën kontroll nga India dhe Pakistani në pjesë dhe pretendohet tërësisht nga dy vendet. Një pjesë e vogël e Kashmirit mbahet edhe nga Kina.
Që nga ndarja në vitin 1947, dy vendet kanë zhvilluar luftëra për rajonin e Kashmirit.
Disa grupe në Xhammu Kashmir kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi, ose bashkim me Pakistanin fqinj.
Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra njerëz raportohet se janë vrarë në konfliktin në rajon që nga viti 1989.























