Jemen, rebelët Houthi mirëpresin thirrjen e OKB-së për armëpushim
BKT
   Bota

Jemen, rebelët Houthi mirëpresin thirrjen e OKB-së për armëpushim

Të hënën, Guterres u kërkoi palëve ndërluftuese në të gjithë botën që "të linin mënjanë mosbesimin dhe armiqësinë, t’i pushonin armët dhe të ndalojnë artilerinë dhe sulmet ajrore".

Rebelët Houthi në Jemen sot kanë përshëndetur thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për armëpushim humanitar në të gjithë botën për të ndihmuar luftën kundër koronavirusit të ri, raporton Anadolu Agency.

Të hënën, Guterres u kërkoi palëve ndërluftuese në të gjithë botën që "të linin mënjanë mosbesimin dhe armiqësinë, t’i pushonin armët dhe të ndalojnë artilerinë dhe sulmet ajrore".

Thirrja e Guterres "është e rëndësishme për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër koronavirusit", tha i ashtuquajturi ministri i Jashtëm i grupit Houthi, Hisham Sharaf Abdullah, i cituar nga agjencia e lajmeve Saba e drejtuar nga Houthi.

Ai shfaqi shpresë se koalicioni i udhëhequr nga sauditët "do t'i përgjigjej pozitivisht thirrjes së OKB-së dhe do t'i jepte fund sulmeve të koalicionit dhe të ngrinte rrethimin mbi popullin jemenas".

Ndërsa numri i vdekjeve globale nga koronavirusi tani arrin në 16.500, Jemeni nuk ka regjistruar ndonjë infeksion nga sëmundja.

Ende nuk ka prononcim nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët mbi deklaratat e rebelëve Houthi.