Boko Haram sulm ndaj njësisë ushtarake në Çad, dhjetëra ushtarë të vdekur
BKT
   Bota

Boko Haram sulm ndaj njësisë ushtarake në Çad, dhjetëra ushtarë të vdekur

Presidenti i Çadit, Idriss Deby, në një deklaratë në rajonin ku është kryer sulmi, tha se terroristët e Boko Haram kanë sulmuar njësinë ushtarake, ndërsa përleshja ka zgjatur të paktën 5 orë.

Të paktën 92 ushtarë kanë humbur jetën, ndërsa 47 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit të organizatës terroriste Boko Haram ndaj pjesëtarëve të ushtrisë në shtetin e Afrikës qendrore, Çad, transmeton Anadolu Agency.

Sipas lajmeve në mediat vendase, presidenti i Çadit, Idriss Deby, në deklaratën e bërë në rajonin ku është kryer sulmi, tha se terroristët e Boko Haram kanë sulmuar njësinë ushtarake, ndërsa përleshja ka zgjatur të paktën 5 orë.

Ai tregoi se si pasojë e sulmit kanë humbur jetën të paktën 92 ushtarë, ndërsa janë plagosur 47 të tjerë. "Për herë të parë pësuam kaq shumë humbje. Do të kundërpërgjigjemi ashpër", u shpreh ai.

Në mediat lokale gjithashtu është bërë e ditur se një avion i cili është dërguar në rajon për mbështetje ajrore, është kthyer pasi është shënjestruar.

Ndërkohë ushtria njoftoi se ka marrë kontroll të plotë në rajon.

Ndryshe, që nga viti 2009, afër 20 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e akteve të dhunës masive të Boko Haramit, organizatë e cila është aktive nga fillimi i viteve 2000.

Organizata nga viti 2015 ka ndërmarrë sulme edhe në shtetet fqinje si Kamerun, Benin, Çad dhe Niger. Të paktën 2.000 persona e kanë humbur jetën në sulmet e organizatës në pellgun e Liqenit të Çadit.