SHBA kërkon personel mjekësor nga jashtë në luftën kundër COVID-19
Njoftimi vjen pasi numrat e rasteve të reja e kanë kthyer SHBA-në në epiqendrën e infeksionit të koronavirusit në botë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar të enjten në mbrëmje se po kërkon të punësojë staf mjekësor ndërkombëtar për të trajtuar numrin në rritje të rasteve të koronavirusit në vend, transmeton Anadolu Agency .
"Ne inkurajojmë profesionistë mjekësorë që kërkojnë punë në SHBA për vizë pune ose shkëmbim të vizave (H ose J), veçanërisht ata që punojnë në rastet e COVID-19, të kontaktojnë Ambasadën/Konsullatën më të afërt të SHBA-së për termin për vizë", tha në një postim në Twitter, Byroja e Çështjeve Konsullore.
SHBA tani është epiqendra e infeksionit të koronavirusit në botë, pasi mbrëmë tejkaloi Kinën dhe Italinë, me 85.991 raste të konfirmuara, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins".
Veçanërisht ata që punojnë për të trajtuar ose zbutur efektet e COVID-19 u inkurajuan që të vizitojnë ambasadat ose konsullatat më të afërta të SHBA-së për të kërkuar termin për vizë, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Shtetit u bëri thirrje profesionistëve të huaj të mjekësisë që ndodhen në SHBA që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zgjatjen e qëndrimit të tyre.
"Studentët e huaj të mjekësisë me banim në SHBA mund të këshillohen me sponsorin e programit të tyre ECFMG për të zgjatur programet e tyre në SHBA. Data e skadimit të një vize amerikane nuk përcakton se sa kohë mund të jeni në SHBA", thuhet në deklaratë.
Të dhënat nga Universiteti "Johns Hopkins" tregojnë se SHBA ka tejkaluar Kinën e cila ka 81.782 raste dhe Italia me 80.589.
Numri i përgjithshëm në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 532.000 raste, që përfshin mbi 24.000 të vdekur dhe më shumë se 122.000 të shëruar.























