Interpol: Rritje e kriminalitetit gjatë pandemisë COVID-19
Krimi është rritur me shpejtësi gjatë pandemisë së re të koronavirusit, pasi kriminelët dhe bandat e organizuara i kanë përshtatur shpejt metodat e tyre, sipas Interpol-it.
”Prokurorët kanë zbuluar raste të rritura të krimit në internet, mashtrimit, vjedhjes dhe falsifikimit’, paralajmëroi autoriteti policor europian, në një raport të botuar sot në Hagë.
Raporti thotë se shitja e artikujve mbrojtës të falsifikuar, përfshirë maska, xhel dezinfektues dhe ilaçe është rritur në mënyrë të konsiderueshme që nga shpërthimi i krizës.
”Në mars, rreth 34 000 maska kirurgjikale të falsifikuara u kapën gjatë një operacioni policor në të gjithë botën kundër ilaçeve të falsifikuara”, tha më tej Interpol.
Drogat e falsifikuara përfshijnë ilaçe antivirale, ilaçin kundër malarjes, Chloroquine, dhe vitaminat.
Ndërkohë, ka pasur një ulje të ndjeshme të kriminalitetit në Itali pas vendosjes së masave të bllokimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, njoftoi dje Ministria e Brendshme italiane.
”Në periudhën 1-22 mars, janë raportuar më pak se 53 000 krime, një ulje me 64% krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në një raport të ministrisë së sipërcituar.
”Veprat penale të lidhura me drogën ranë me 46%, krimet në lidhje me prostitucionin dhe pedofilinë u ulën me 77%, vrasjet u ulën me 65% dhe sulmet seksuale me 70%”, shtohet në raport./atsh/























