Britania u kërkon policëve të pensionuar të kthehen në punë
BKT
   Bota

Britania u kërkon policëve të pensionuar të kthehen në punë

Numri i vdekjeve në Londër përbën 40 për qind e numrit të përgjithshëm në të gjithë vendin, kurse shifrat vazhdojnë të rriten, kështu që Policia Metropolitane gjithashtu u kërkoi atyre që janë pranë pensionimit të qëndrojnë.

Policia Metropolitane e Londrës ka kërkuar nga oficerët në pension që të kthehen në punë për të ndihmuar në përballjen me krizën e koronavirusit, që mund të arrijë nivele të pashembullta në kryeqytetin britanik, vatër e shumicës së rasteve në Britani të Madhe, raporton Anadolu Agency.

"Kërkesat për ne do të rriten dhe do të ndryshojnë gjatë javëve të ardhshme, por unë dua që njerëzit të dinë dhe të shohin se Policia Metropolitane është këtu për ta", tha Komisarja Cressida Dick.

Ajo gjithashtu u kërkoi oficerëve që ishin afër pensionit të konsiderojnë qëndrimin e mëtejshëm.

Kërkesa erdhi pasi gjysmë milioni britanik u paraqitën vullnetarë për të ndihmuar shërbimin kombëtar të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror të vendit.

Dick tha: "Oficerët e policisë në mënyrë të përkushtuar punojnë për të ndihmuar njerëzit dhe për të bërë një ndryshim, dhe kjo dëshirë do të jetë po aq e fuqishme sot, sikur që ishte në ditën e parë kur u bashkuan. Kam shpresën se ish kolegët tanë me përvojë dhe njohuri të jashtëzakonshme do të vendosin të kthehen dhe të jenë pjesë e ekipit tonë dhe të mbështesin Londrën në këtë kohë të jashtëzakonshme".

Londra tashmë një javë është nën bllokadë me masat e kufizimit të lëvizjes dhe respektimit të distancës në shoqëri.

Sipas shifrave zyrtare, numri i vdekjeve në Britani nga koronavirusi ka arritur në 578, me më shumë se 100 vdekje të reja në 24 orët e fundit. Kurse më shumë se 9,529 raste me koronavirus janë konfirmuar në Britani të Madhe, e cila përfshin Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore. Numri i vdekjeve në Londër përbën 40 për qind e numrit të përgjithshëm në të gjithë vendin. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se 20 mijë ushtarë janë të gatshëm të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes të COVID-19.