Eksperti i shëndetit: Numri i viktimave në SHBA mund të shkojë në 200 mijë

Eksperti i shëndetit: Numri i viktimave në SHBA mund të shkojë në 200 mijë

Një ekspert i shëndetit në SHBA ka paralajmëruar se numri i personave që mund të humbin jetën në vend mund të jetë më i madh se 100,000.

Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet e infeksionit, thotë gjithashtu në Shtetet e Bashkuara me miliona persona mund të infektohen me koronavirusin, shkruan abcnews.al

Parashikimet e tija Fauci i bëri ndërsa fliste në një program të rrjetit CNN të dielën, në një kohë që qeveria e vendit pret që të mos i mbajë gjata masat e vendosura për distancim social.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh:

“Mund të thoja që mund të shkojnë diku tek 100,000 -200,000 vdekje. Mund të kemi me miliona raste të konfirmuara. Por nuk dua të mbahem vetëm tek kjo pasi pandemia është një objektiv kaq i lëvizshëm.”

Kujtojmë këtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë tashmë në vendin e parë si vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. SHBA-të numërojnë 125,308 raste të konfirmuara me Covid-19 deri më tani ndërsa numri i viktimave është 2,246.

Por, pavarësisht rasteve në rritje, qeveria po konsideron “zbutjen” e masave në zona që nuk janë prekur shumë nga epidemia, ndërsa vendi ka 15 ditë kohë për të ngadalësuar përhapjen e virusit.