Filantropi kinez dërgon ndihmë mjekësore në Evropë

Filantropi kinez dërgon ndihmë mjekësore në Evropë

Themeluesi i Grupit Alibaba do të dhurojë respiratorë, veshje mbrojtëse dhe mburoja për fytyrën në spitalet e Evropës.

Biznesmeni dhe filantropi kinez Jack Ma tha se fondacioni i tij do të dërgojë ndihmë urgjente mjekësore në Evropë, epiqendrën e re të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency.

Në një postim në Twitter, Jack Ma, themeluesi i Grupit Alibaba, bëri thirrje për unitet në luftën kundër pandemisë COVID-19, e cila ka marrë mbi 34.600 jetë në gjithë globin që nga muaji dhjetor.

"Fondacioni Jack Ma dhe Fondacioni Alibaba do të dhurojnë pajisje shtesë urgjente, përfshirë 800 respiratorë, 300.000 sete veshjesh mbrojtëse dhe 300.000 mburoja për fytyrën në spitalet në Evropë", ka shkruar Ma.

Ai më parë dërgoi ndihmë mjekësore në shumë vende të Azisë dhe Afrikës për të luftuar virusin, i cili ka prekur më shumë se 724.000 njerëz në gati gjithë botën.

Përveç ndihmës mjekësore, Fondacioni Jack Ma gjithashtu ka filluar një platformë në internet për mjekë dhe infermierë në gjithë botën për të shkëmbyer ide dhe mësime për luftimin e pandemisë.

Qeveria kineze po ashtu ka dërguar pajisje mjekësore në Evropë, epiqendrën e re të COVID-19.

Megjithatë, disa vende evropiane janë ankuar se pajisjet mjekësore, veçanërisht respiratorët, kanë defekte.

Javën e kaluar, Spanja, ku janë regjistruar më shumë se 7.000 viktima nga COVID-19, tha se pajisjet e testimit të furnizuara nga një kompani kineze ishin "me të meta dhe nuk arritën të diagnostikonin saktë" pacientët e dyshuar.