Izrael, numri i rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rritje

Izrael, numri i rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rritje

Ministria e Shëndetësisë tha se janë regjistruar 233 infeksione të reja dhe 97 pacientë janë në gjendje kritike.

Rastet me koronavirus të ri (COVID-19) në Izrael janë rritur në 5.591, ndërsa deri më tani janë regjistruar 21 vdekje, theksuan sot zyrtarët shëndetësorë, raporton Anadolu Agency.

Ministria e Shëndetësisë tha se janë regjistruar 233 infeksione të reja dhe 97 pacientë janë në gjendje kritike.

Të gjitha shkollat janë mbyllur dhe të gjitha tubimet publike në zona të hapura ose të mbyllura me më shumë se 10 persona gjithashtu janë të ndaluara.

Të gjitha ndërmarrjet tregtare përveç supermarketeve, farmacive, pompave të benzinës dhe bankave po ashtu janë të mbyllura që nga 15 marsi. Tel Avivi ndaloi hyrjen e shtetasve të huaj, përveç atyre që kanë vendbanim në Izrael.

Në një zhvillim që lidhet me këtë, televizioni izraelit "Channel 12" zbuloi se qindra izraelitë janë kthyer nga vendet ku virusi është përhapur pa u testuar ose karantinuar në hotelet e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes.

Javën e kaluar, ministri i Mbrojtjes Naftali Bennett shpalli planin prej 14 ditë karantinë për të kthyerit nga SHBA, Italia, Spanja dhe Franca. Kostoja e planit u vlerësua në 55 milion sikla izraelite (15,4 milionë dollarë), sipas kanalit izraelit.

Kryeministri Benjamin Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të premten vendosi të ndalojë planin dhe vetëm të detyrojë të kthyerit nga vendet e lartpërmendura që të hyjnë në një karantinë shtëpiake pa iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.