OBSH: Vendet të vazhdojnë masat e forta kundër COVID-19

OBSH: Vendet të vazhdojnë masat e forta kundër COVID-19

Pavarësisht përmirësimeve të mëdha në vende si Kina dhe Koreja e Jugut, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se pandemia e koronavirusit është shumë larg përfundimit në atë rajon.

“Do të jetë një betejë afatgjatë dhe nuk duhet të ndalemi. Duhet që çdo vend i botës të vazhdojë masat kundër virusit bazuar në situatën në terren”, tha drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Paqësorin Perëndimor, Dr. Takeshi Kasai.

Kina njoftoi për një të vdekur dhe 48 raste të reja të martën, asnjë prej tyre nuk e kishte origjinën brenda vendit, ndërsa Koreja e Jugut njoftoi për 125 raste të reja.

Dr. Kasai dhe ekspertë të tjerë gjatë një konference tjetër theksuan se qeveritë duhet të marrin masa aktive dhe të ruajnë trysninë për të ndaluar përhapjen e infeksionit të rrugëve të frymëmarrjes.

Ai tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk kishte asnjë provë që rritja e temperaturave dhe afrimi i sezonit të nxehtë do të ngadalësojë virusin, sikurse kishin shpresuar disa të tjerë. Ai tha se nuk dihet se sa do të zgjasë pandemia.

Matthew Griffith, një epidiomolog që këshillon OBSH për reagimet ndaj virusit në rajon, tha se ishte i shqetësuar se çdo përhapje infeksioni në vazhdim, ka gjasa që të ndodhë në vendet më të varfëra. Laosi dhe Mianmari njoftuan rastet e para me COVID-19 javën e shkuar, megjithëse disa ekspertë të shëndetësisë besojnë se shifrat mund të mos jenë të sakta si rezultat i mungesës së testimeve.

Michael Ryan është drejtor ekzekutiv i programit të emergjencave shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ai tha se zyrtarët shpresojnë që vendet që aktualisht po përjetojnë efektet më të rënda, përfshi Italinë dhe Spanjën, do të shohin shumë shpejt një stabilizim të situatës. Por ai tha se virusi nuk do të ndalojë vetë, duke kërkuar që qeveritë të veprojnë për parandalimin e infektimeve.

Maria Van Kerkhove, e cila drejton përpjekjet teknike kundër koronavirusit, tha se përpjekjet publike duhet të përfshijnë testimin, izolimin, gjetjen e individëve të prekur dhe futja e tyre në karantinë.

Italia njoftoi për 837 vdekje të tjera të martën, duke çuar numrin e viktimave në 12,428, ndërsa Spanja e tejkaloi Kinën me rastet. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë raste se Italia dhe Spanja.

Spanja njoftoi për 849 vdekje të tjera të martën, numri më i madh në rritje në një ditë që nga fillimi i pandemisë, duke e çuar në 8,189 numrin e të vdekurve në atë vend.

Zoti Ryan po ashtu theksoi mungesën e maskave mbrojtëse për punonjësit e shëndetësisë ndërsa përsëriti këshillën e OBSH që njerëzit zakonisht të shëndetëshëm nuk duhet të përdorin maska.

“Nuk ka asnjë provë specifike që sugjeron se përdorimi i maskave nga popullata masive ka ndonjë përfitim të mundshëm. Në fakt, ka disa prova që sugjerojnë të kundërtën në keqpërdorimin e vënies së maskave siç duhet”, tha ai.

Shtetet amerikane bëjnë thirrje për ndihmë

Ndërtesa ikonë e qytetit të Nju Jorkut “Empire State Building” u ndriçua të hënën në formën e një sirene me dritë të kuqe dhe të bardhë për të nderuar punonjësit e emergjencave në linjën e parë të frontit të betejës me koronavirusin.

Nju Jorku është epiqendra e shpërthimit të virusit në Shtetet e Bashkuara, me mbi 900 të vdekur ndërsa spitalet po përpiqen të përballojnë shtimin e pacientëve.

Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo ka bërë thirrje mbarëkombëtare për më shumë ndihmë, duke u kërkuar mjekëve dhe infermierëve në zonat ku nuk ka emergjenca të koronavirusit, që të shkojnë të ndihmojnë Nju Jorkun.

Pandemia u bë personale për zotin Cuomo të martën pasi ai mësoi se vëllai i tij, gazetari i rrjetit televiziv Chris Cuomo, u diagnostikua me koronavirus dhe do të vazhdojë transmetimet nga bodrumi i shtëpisë së tij./VOA