Rusia konfirmon 440 raste të reja me koronavirus

Rusia konfirmon 440 raste të reja me koronavirus

Autoritetet lokale po testojnë një aplikacion të veçantë të krijuar për të monitoruar lëvizjet e rasteve pozitive që vullnetarisht zgjedhin trajtimin në shtëpi.

Rusia ka konfirmuar sot 440 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2.777, transmeton Anadolu Agency.

Autoritetet shëndetësore në Rusi thanë se vendi ka raportuar gjithsej 24 vdekje të lidhura me COVID-19 deri më tani, me 7 raste të reja në 24 orët e fundit.

"Deri më tani, 2.777 raste të infektimit me koronavirus janë regjistruar në 75 rajonet e Federatës Ruse. Gjatë ditës, 69 persona janë lëshuar në shtëpi, ndërsa 190 persona janë shëruar gjatë gjithë periudhës. Gjatë ditës janë regjistruar 7 raste fatale", thuhet në kumtesë.

Koronavirusi po përhapet veçanërisht shpejt në kryeqytetin Moskë, ku janë regjistruar dy të tretat e rasteve të përgjithshme, respektivisht 1.880 raste.

Autoritetet lokale po testojnë një aplikacion të veçantë të krijuar për të monitoruar lëvizjet e rasteve pozitive që vullnetarisht zgjedhin trajtimin në shtëpi.

"Aplikacioni celular i Monitorimit Social po zhvillohet dhe testohet brenda vendit", u tha përaqësuesve të mediave, Denis Lysenko, një përfaqësues i administratës së Moskës, duke shtuar se programi do të jetë i nevojshëm për të monitoruar nëse pacientët që ndodhen në trajtim shtëpiak zbatojnë regjimin e karantinës.

"Kjo do të garantojë sigurinë e të tjerëve dhe do të parandalojë përhapjen e mëtejme të koronavirusit", tha Lysenko.

Për të frenuar përhapjen e infeksionit, Rusia vendosi bllokime në disa rajone, përfshirë Moskën dhe qytetin e dytë më të madh Shën Petersburg, ndërsa numri i rajoneve nën bllokim shtohet çdo ditë.

Banorët në zonat e mbyllura lejohen të largohen nga shtëpitë vetëm për blerjen e produkteve ushqimore, për të shëtitur kafshët shtëpiake dhe për të hedhur mbeturinat.

Gjithashtu, Rusia ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj dhe ka suspenduar trafikun ajror ndërkombëtar.