Kinë, “zhduket” një tjetër mjeke që kishte paralajmëruar për koronavirusin

Kinë, “zhduket” një tjetër mjeke që kishte paralajmëruar për koronavirusin

Të gjithë njohën dhe u mallëngjyen me historinë e Li Wenliang, mjekut kurajoz të Wuhanit që paralajmëroi nga të parët rrezikun që po i kanosej botës, duke u censuruar fillimisht nga autoritetet kineze, dhe më pas duke humbur betejën e jetës kundër COVID-19.

Por Li Wenlian nuk ishte i vetëm, në atë zbulim shqetësues. Mjeku kishte mbledhur informacione edhe nga kolegë të tjerë, për të pasur një ide më të qartë për dimensionet.  Njëra prej tyre është mjekja Ai Fen, dhe me sa dihet edhe ajo është zhdukur pas një interviste ku shprehte zhgënjimin e saj e saj për atë që  kishte ndodhur.  

Mjekja Ai Fen

Mjekja në një intervistë të botuar online nga një gazetë kineze, dhe më pas të zhdukur nga rrjeti, deklaroi se ishte qortuar “në mënyrë shumë të rëndë” nga autoritetet shtetërore kur kishte përhapur disa fotografi ku tregohej një kartelë klinike të një pacienti me diagnozën e SARS. Ishin fillimet e janarit dhe bota nuk kishte dijeni për COVID-19, dhe as Pekini zyrtar nuk po shpërndante lajmin e hidhur.

Fotografia e saj e diagnozës u shpërnda në mënyrë virale nga rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e mjekëve por edhe të autoriteteve. Njëri prej 8 personave të parë që shpërndau fotografinë, ishte pikërisht mjeku Li Wenlian.

Mjekja deklaroi se e vriste ndërgjegjja nga fakti “që nuk  kishte folur publikisht më shumë”, gjë që mund t’ i kishte shpëtuar jetën disa prej kolegëve të vdekur nga pandemia.

Tashmë ajo është zhdukur praktikisht nga rrjetet sociale, dhe nuk dihet ku ndodhet, sipas një investigimi të bërë nga mediat australiane./a2/