YouTube po punon në rivalin e TikTok të quajtur Shorts

YouTube po punon në rivalin e TikTok të quajtur Shorts

TikTik që shënoi shifrën e 41 milionë përdoruesve aktiv në baza ditore jashtë Kinës, së shpejti mund të ketë edhe një rival të fuqishëm.

Raportohet se YouTube është duke punuar në sistemin e ri të quajtur Shorts, që besohet të jetë rivali i TikTok, me video të shkurtra.

Shorts do të jetë një format që do të funksionojë brenda YouTube, vetëm për aplikacionin në telefon dhe nuk është ndonjë produkt i pavarur.

Meqenëse kjo platformë kineze me video të shkurtra është popullarizuar shumë, YouTube është duke u angazhuar maksimalisht, që ta ketë edhe këtë formë të shpërndarjes së videove.

Derisa është qendra e transmetimit të shumë shtëpive diskografike dhe artistëve, YouTube dëshiron ta zgjeroj katalogun e ofertave edhe me këtë sistem shumë të pëlqyeshëm.

Kjo nuk është hera e parë, që TikTok po kopjohet nga platforma tjera, pasi ishte Facebook që provoi sistem i ngjashëm të quajtur Lasso.

Instagram dhe Snapchat po punojnë shumë në sistemin e videove të shkurtra, ndërsa Byte e lansuar para një viti nga Vine, ende nuk i ka arritur sukseset e duhura.

Në të njëjtën kohë, TikTok duket se është i pandalshëm, pasi në 12 muajt e fundit është shkarkuar 842 milionë herë.