Microsoft tregon shkakun e ndërprerjes globale që preku miliona përdorues
BKT
Tech

Microsoft tregon shkakun e ndërprerjes globale që preku miliona përdorues

V.Th / RTKLive

Microsoft ka bërë të ditur se ndërprerja globale që preku miliona përdorues dhe nxori jashtë funksionit Outlook-un dhe shërbime të tjera u shkaktua nga një problem gjatë përmirësimit të kapacitetit të rrjetit, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për sulm kibernetik.

Kompania amerikane ka kërkuar falje për ndërprerjen, duke shpjeguar se problemi u shkaktua gjatë një përmirësimi të mëhershëm të kapacitetit të rrjetit, i cili u shfaq pas një ndryshimi të fundit në rrjet.

“Incidenti u shkaktua nga një problem gjatë një përmirësimi të mëhershëm të kapacitetit të rrjetit, i cili u shfaq pas një ndryshimi të fundit në rrjet. Ne e kemi trajtuar problemin themelor dhe po vazhdojmë rikthimin e shërbimeve për klientët dhe rajonet që ende janë të prekura”, ka deklaruar Microsoft.

Kompania ka sqaruar se problemi teknik nuk kishte të bënte me ndonjë sulm kibernetik apo me agjentët e inteligjencës artificiale.

Ndërprerja ndikoi në komunikimin e bizneseve, raportimin policor të rasteve të krimit, funksionimin e gjykatave dhe mjetet e inteligjencës artificiale, ndërsa shumë kompani në mbarë botën mbetën pa qasje në email-et e Outlook-ut dhe platforma të tjera.

Microsoft ka njoftuar se shërbimet po rikthehen gradualisht, duke verifikuar stabilitetin në secilën fazë.

Numri i përgjithshëm i personave të prekur nuk është bërë i ditur, por kompania kishte njoftuar më herët gjatë këtij viti se kishte më shumë se 450 milionë abonime komerciale me pagesë në Microsoft 365.


MË SHUME NGA Tech