Pandemia Covid-19, shumë amerikanë në vështirësi financiare
Sharr Travel

Pandemia Covid-19, shumë amerikanë në vështirësi financiare

Në fillim të muajit, amerikanët paguajnë qeranë ose kredinë e shtëpive të tyre. Por, shumë amerikanë që janë pushuar nga puna për shkak të masave të forta kundër përhapjes së koronavirusit janë të shqetësuar, pasi nuk do kenë mundësi t’i përmbushin detyrimet e tyre financiare.

Për të zbutur këtë problem, shumë shtete të ndikuara nga Covid-19 kanë lëshuar udhëzime për shtyrjen ose pezullimin e pagesave të qerasë për muajin prill, në pritje të lëshimit të pagesave të papunësisë dhe pagave stimuluese nga qeveria federale.

Për miliona amerikanë, një prilli ishte e hera e parë që duhet të paguanin qeranë pas shpërthimit të koronavirusit, që ka goditur rëndë ekonominë. 

Shumë qeramarrës janë pa punë, gati 3.3 milionë amerikanë aplikuan për të marrë pagesat e papunësisë në javën e 16 marsit, një shifër rreth pesë herë më e lartë se sa rekordi i vendosur në vitin 1982. 

"Pasi nëna ime humbi vendin e punës me orar të plotë, frika jonë më e madhe është dëbimi nga banesa dhe ngelja pa një çati mbi kokë", thotë Jade Brooks, një banore e qytetit të Bostonit. 

"Aktualisht jam pushuar nga puna për shkak të pandemisë COVID-19. Jam e shqetësuar për mënyrën se si do ta paguaj qeranë e 1 prillit dhe sapo blemë një shtëpi, pra jam e shqetësuar edhe për pagesën e kredisë më 1 maj. Kam edhe faturat e kartave të kreditit," thotë Jas Wheeler, banore e shtetit të Vermontit, e cila u pushua nga puna. 

Shumica e qeverive shtetërore dhe vendore po pezullojnë dëbimet nga shtëpitë, ndërsa ato po përgatiten të lëvrojnë pagat e papunësisë dhe qeveria federale përgatitet të japë pagat stimuluese. 

Kështu që për shumicën e njerëzve, prilli nuk do të jetë muaji i dëbimit nga banesa për shkak të pamundësisë për të paguar qeranë pas pushimit nga puna. 

Por, një çati mbi kokë është një nga nevojat më themelore në jetë. Kur nuk ka para për qiranë, si mund të paguhen faturat e tjera? 

“Akoma po pres për letrën e vendimit për rastin tim nga zyra e përfitimeve të papunësisë. Edhe kolegët e mi të punës, me të cilët kam folur, janë në të njëjtën pozitë. Mendoj se të gjithë po përpiqen të jenë optimistë se pagesat e papunësisë do të lëshohen para se të na grumbullohen faturat”, thotë Jason Still, banor i qytetit Spokejn në shtetin e Uashingtonit. 

Ndërsa shumë njerëzve do t’u shtyhet afati për të paguar qeranë për muajin prill, në vazhdim ata do të duhet ta paguajnë atë pavarësisht nëse do të rihapen apo jo restorantet, uzinat apo kantierët e ndërtimit, kur të zvogëlohet kërcënimi nga COVID-19. 

Për shumicën e njerëzve, koronavirusi shkakton simptoma të buta ose të moderuara, si ethe dhe kollë që pastrohen pas një periudhe dy deri tre javore. 

Por, për disa disa grupe, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore pararendëse, COVID-19 mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, përfshirë pneumoni dhe vdekje. Shumica e njerëzve shërohen nga virusi. /VOA