SHBA, ushtria në bunker nga Covid-19
Presidenti amerikan Donald Trump e ka krahasuar koronavirusin me një armik lufte, dhe ushtria e tij po i përshtatet kësaj situate. Pjesëtarë të stafit kryesor po izolohen në bunkerë apo në karantinë për të shmangur infeksionit në radhët operacionale.
Ushtria amerikane ka nisur të stacionojë një pjesë të stafit kyç të saj në bunkerë të sigurt pasi pandemia e koronavirusit rrezikon infektimin e tyre, transmeton oranews.
Sëmundja ka prekur tani rreth 250 mijë qytetarë dhe ka vrarë mbi 6 mijë amerikanë në të gjithë vendin.
Për forcat e armatosura, koronavirusi konsiderohet si armik në frontin e luftës, edhe pse i padukshëm, ndaj përgatitjet po bëhen njësoj si në kohë lufte.
"Një nga masat që kemi marra është dërgimi i stafit në ‘Cheyenne Mountain’, që është konceptuar fillimisht për mbrojtjen nga sulmet atomike. Rreth 550 metra në brendësi të shkëmbit prej graniti, personeli ynë jeton i ndarë nga familjarët, nga komuniteti, vetëm me partnerët e turnit, ndaj kemi besim se nuk do të ekspozohen te virusi dhe do e kryejnë misionin," tregon gjenerali Terrence O'Shaughnessy, i Komandës Veriore të SHBA-së.
Përhapja e koronavirusit ka mobilizuar edhe marinën amerikane, tashmë në gatishmëri për skenarin më të keq.
Raportohet se 1 mijë nga 5 mijë pjesëtarët e stafit të aeroplanmbajtëses "Teodor Ruzvelt" janë futur në karantinë pas zbulimit të rastit të parë me Covid-19.
Teksa u rrit të enjten në 100 numri i të infektuarve në bordin e anijes, kapiteni i saj u lirua nga detyra.
"Mund t'jua them me siguri të lartë se ka për të pasur më shumë, mbase me qindra të tjerë. Por kapiteni nuk u tregua i kujdesshëm dhe krijoi panik të panevojshëm duke lënë përshtypjen se Marina nuk po i përgjigjej kërkesave të tij, se qeveria nuk po punon," deklaroi shefi në detyrë i Departamentit të Marinës, Thomas Modly, pasi u zbulua se kapiteni kishte ndarë me mediet lokale një letër sekrete ku fliste për përkeqësim të situatës në anijen e tij.
Ushtria amerikane ka thënë se do i mbajë të fshehta informacionet për infeksionet me koronavirus në personelin e saj pasi mund të shfrytëzohen nga kundërshtarët.























