Receta origjinale e petullave të sheshta

Receta origjinale e petullave të sheshta

Petullat janë të mrekullueshme, sa të thjeshta në përgatitje e në shije aq edhe të preferuara.

Duket sikur janë ushqimi i të gjithë familjes nga më i madhi tek më i vogli.

Si pjesë e traditës tonë, ju me siguri dini të përgatisni shumë versione të tyre, por ne sot do të ju tregojmë një mënyrë të veçantë.

Mes krepave dhe petullave, do të përfitoni petullat e sheshta plot shije.

Ndiqni shkurt mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së tyre në shumë pak minuta.

Përbërësit

130 gr miell

1 lugë çaji pluhur pjekës

2 lugë gjelle sheqer

130 ml qumësht

1 vezë

2 lugë gjelle gjalpë i shkrirë ose vaj ulliri

Pak kripë

Përgatitja

Në një enë të thellë shtoni miellin, pluhurin pjekës, kripën dhe sheqerin.

Në një tjetër enë përzieni me kujdes qumështin bashkë me vezën e më pas shtoni gjalpin e shkrirë apo vajin.

Më pas këtë përzierje shtojeni tek ena ku ndodhet mielli pak nga pak duke përzier vazhdimisht që të mos formohen kokrriza.

Do të formohet një brumë i hollë i ngjashëm me atë të krepave të cilin pasi e keni përgatitur duhet ta lini të pushojë disa minuta.

Ndërkohë vendosni një tigan të sheshtë që nuk ngjit në zjarr të ngrohet dhe lyejeni me pak vaj.

Me anë të një luge ose garuzhde të mbushur pak hidhni në mes te tiganit të nxehtë brumin për petullën e parë.

Mundohuni që petulla të mos jetë e madhe dhe e hollë si krepat, por e trashë.

Lëreni nga një anë derisa brumi të filloje të krijojë bulëza sipër e më pas kthejeni me anë të një spatule petullën tuaj.

Bëjeni këtë me të gjithë masën e brumit një nga një derisa të mbarojë.

Më pas shijojini me pak mjalte, reçel apo çokokrem./agroweb