Kenia do të luftojë COVID-19 me mjetet e konfiskuara nga korrupsioni
BKT
   Bota

Kenia do të luftojë COVID-19 me mjetet e konfiskuara nga korrupsioni

Zyra e Drejtorit të Prokurorive Publike dhuroi rreth 19 milionë dollarë në fondin e urgjencës së koronavirusit, të konfiskuara nga marrëveshjet korruptive në dy vitet e fundit.

Beteja e Kenias kundër koronavirusit të ri (COVID-19) mori një forcë pasi fondi i urgjencës për të luftuar pandeminë pranoi miliona dollarë të konfiskuar në operacionet kundër korrupsionit, transmeton Anadolu Agency.

Zyra e Drejtorit të Prokurorive Publike dhuroi rreth 19 milionë dollarë (2 miliardë shilinge keniane) në fondin e urgjencës së koronavirusit.

Drejtori i Prokurorisë Publike në Kenia, Noordin Haji, ia dorëzoi mjetet sekretarit të Thesarit, Ukur Yatani, për të cilat theksoi se janë tubuar nga paratë që zyra e tij kishte konfiskuar nga marrëveshjet korruptive në dy vitet e fundit.

"Ne i kishim disa fonde së bashku si task-forcë e shumë agjencive që punojnë në korrupsionin, që i kishim mbledhur me Drejtorinë e Hetimeve Kriminale dhe Komisionin e Etikës dhe Anti-korrupsionit. Kemi mbledhur afërsisht 2.9 miliardë shilinge keniane gjatë dy muajve të fundit. Ne kemi ndarë 2 shilinge keniane për fondin e urgjencës për COVID-19 për të luftuar pandeminë", tha Haji.

Kjo vjen pasi ministri i Shëndetësisë, Mutahi Kagwe, njoftoi të martën se rastet e koronavirusit në vendit ishin rritur në 172 pasi 14 raste të tjera ishin regjistruar nga 696 persona që u testuan në 24 orët e fundit.

"Të dashur kenianë, të përgatitemi për lajme të këqija. Le të jemi të gatshëm sepse të gjitha masat që do të ndërmarrim, nuk do t'i japin fund sëmundjes menjëherë", tha Kagwe.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit, një person është në gjendje kritike.

Presidenti Uhuru Kenyatta ka njoftuar për ndërprerje të detyrueshme të lëvizjes midis katër bashkive kryesore të vendit.

Kryeqyteti i Kenias, Nairobi si dhe qytetet bregdetare Mombasa, Kilifi dhe Kwale janë bllokuar pjesërisht për tre javë.