Panik në Kenia, 17 deputetë pozitiv me COVID-19
BKT
   Bota

Panik në Kenia, 17 deputetë pozitiv me COVID-19

Disa deputetë u testuan javën e kaluar, ndërsa kryetari i parlamentit ka anuluar seancat parlamentare.

Rreth 17 deputetë në vendin e Afrikës Lindore, Kenia raportohet se kanë rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19), duke shtyrë që kryetari i parlamentit të anulojë seancën e jashtëzakonshme parlamentare, njoftuan media lokale të martën, transmeton Anadolu Agency.

"Dyshohet se 17 deputetë kanë rezultuar pozitiv në testimin e javës së kaluar. Të dhënat nuk janë të qarta por ata janë anëtar dhe pjesë e stafit. Prandaj seanca parlamentare u anulua", tha një deputet për gazetën "The Star", duke kërkuar të mbetet anonim.

"Ne nuk mund të zbulojmë identitetin e tyre sepse është kundër ligjit të flasim për gjendjen shëndetësore të dikujt pa lejen e tyre", shtoi ai.

Ekziston frika se numri i deputetëve të infektuar mund të rritet, pasi rezultatet e testit të shumicës prej tyre janë ende në pritje, sipas uebfaqes "People’s Daily".

Pasi një nga mediat kontaktoi kryetarin e Senatit, Kenneth Lusaka, ai as nuk mohoi dhe as nuk konfirmoi raportet e lajmeve.

"Unë mund të flas vetëm për veten time sepse bëra testin këtu, së bashku me familjen dhe sigurimin tim. Unë i di rezultatet e mia, unë jam negativ. Por për pjesën tjetër të anëtarëve, atyre u janë dhënë rezultate individualisht", tha ai.

Sipas Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, Kenia deri më tani ka raportuar 172 raste të infektuara, me 6 vdekje.

Qeveria ka bllokuar pjesërisht kryeqytetin Nairobi dhe qytetet bregdetare Mombasa, Kilifi dhe Kwale për tre javë.

Virusi i zbuluar për herë të parë në qytetin kinez Wuhan është përhapur në mbarë botën. Deri më tani janë raportuar 1.43 milion raste në të gjithë botën, përfshirë 82.177 vdekje.