"Afrika ka rezerva që mjaftojnë vetëm për 2 ose 3 javë kundër COVID-19"
BKT
   Bota

"Afrika ka rezerva që mjaftojnë vetëm për 2 ose 3 javë kundër COVID-19"

Drejtori i Qendrës për parandalimin e sëmundjeve në Afrikë (Africa CDC) theksoi se fati i madh i Afrikës është që pandemia COVID-19 nuk filloi nga ky kontinent.

Kreu i institucionit që drejton me luftën kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) në Afrikë, John Nkengasong, deklaroi se Afrika posedon pajisje dhe materiale që janë të mjaftueshme vetëm për dy javë, raporton Anadolu Agency.

Drejtori i Qendrës për parandalimin e sëmundjeve në Afrikë (Africa CDC) për revistën "Africa Renewal" theksoi se fati i madh i Afrikës është që pandemia COVID-19 nuk filloi nga ky kontinent.

"Patëm rastin të aftësojmë një pjesë të stafit ndërsa virusi përhapej në rajone tjera. Ekziston një problem global në dërgimin e pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve. Shohim se edhe në New York ka mungesë të respiratorëve. Ne në Afrikë nuk prodhojmë pajisje të tilla dhe aktualisht e kemi shumë të vështirë t'i gjejmë në treg", tha Nkengasong.

Ai tha se në bashkëpunim midis Kinës, Etiopisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Afrikë janë shpërndarë një milion teste për diagnostifikim, gjashtë milionë maska dhe 60 mijë veshje mbrojtëse.

"Aktualisht në depo kemi pajisje të mjaftueshme për dy apo tre javë, por në këtë periudhë duhet të angazhohemi për t’u furnizuar", tha Nkengasong.

Sipas CDC-së në kontinentin e Afrikës me koronavirus janë prekur mbi 10 mijë njerëz dhe rreth 500 kanë vdekur.

Koronavirusi i ri për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar, kurse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përhapjen e virusit e shpalli pandemi globale më 11 mars të këtij viti.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, 1.441.128 njerëz janë të infektuar në të gjithë botën me koronavirus. Si rezultat i infeksionit, 82.992 pacientë vdiqën dhe u shëruan 301.768 njerëz.