Ministri Vitia: Ndihmat e popullit turk tregojnë humanizëm dhe solidaritet

Ministri Vitia: Ndihmat e popullit turk tregojnë humanizëm dhe solidaritet

Maska, dorëza dhe teste për verifikimin e rasteve me koronavirus, kanë arritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, si pjesë e kontingjentit të parë të ndihmave nga Turqia për institucionet e Kosovës me qëllim të menaxhimit të situatës me COVID-19.

Për të pritur këto ndihma sot pasdite në aeroport kishin dalë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Viti, ai i Infrastrukturës, Lumir Abdigjiku dhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj.

Ministri Vitia tha se ky donacion tregon solidaritetin dhe miqësinë në kuadër të betejës me COVID-19. E krahas kësaj, ai theksoi se më këto ndihma institucionet shëndetësore do ta kenë më të lehtë luftimin e kësaj pandemie.

Vitia: Sot nga populli turk kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme

“Tregon solidaritet dhe miqësi në kuadër të luftës që po përballemi, b etejës që kemi me COVID-19 në Kosovë, por jo vetëm. Në këtë pandemi e gjithë bota po përballet me këtë situatë. Sot nga populli turk në vazhdën e ndihmave që na kanë mbërritur edhe nga miqtë e tjerë, si nga BE, SHBA e miq të tjerë, sot nga populli turk kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme për popullin e Kosovës që të përballemi më lehtë dhe më mirë me COVID- 19. Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira, dhe në kohën kur gjithë miqtë tanë, njësoj si në Kosovë po përballemi me këtë problem është akoma, jo vetëm me solidaritet, por edhe një humanizëm diçka hyjnore që po ndodhë” tha Vitia.

Në katër javët e para, Arben Vitia pohoi se janë përballur me mungesë të furnizimeve me materiale shëndetësore, por falë ndihmave dhe masave të marra nga qeveria në detyrë, tashmë gjendja është nën kontroll.

Vitia apeloi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dy-tri javët e ardhshme, e pas tyre pret rënie të rasteve të infektuara.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, tha se këto ndihma janë nisur me kërkesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoan, ku sipas tij në këtë donacion përfshihen maska, dorëza dhe teste për verifikimin e personave me COVID-19.

Sakar: Jemi të lumtur që i jemi përgjigjur pozitivisht Kosovës

“Jemi shumë të lumtur që kemi pasur mundësi t’i përgjigjemi pozitivisht Kosovës. Jemi të kënaqur që po shohim se mbështetjet dhe ndihmat tona në mënyrë konkrete po realizohen tani për Kosovën. Këto ditë të vështira që po kalojmë ne sot na i rikujtuan që se sa është e rëndësishme në ditët e vështira të qëndrojmë pranë miqve tanë. Sot, jo vetëm Kosovës, por ndihmat tona i kemi dërguar edhe në vendet e rajonit. Sot këtu në mesin e këtyre ndihmave që janë përcjellë nga Turqia, kemi prurë dorëza, maska dhe disa teste që mundësojnë verifikimin e kësaj sëmundjej e", tha ambasadori Sakar.

Falënderues ndaj këtij donacioni u shpreh edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lurim Abdixhiku, i cili bëri të ditur se do të organizojnë një fluturim për qytetarët që kanë mbetur në Turqi.

Abdixhiku: Brenda 10 ditëve do të organizohet një fluturim Stamboll-Prishtinë
(Video)

“Ne do të planifikojmë brenda 10 ditëve të ardhshme një fluturim nga Stambolli për Prishtinë për të kthyer qytetarët tanë që kanë mbetur atje dhe për gjithë këtë periudhë të njëjtit kanë pranuar ndihma nga Republika e Turqisë”, tha Abdixhiku.

Këshilltari i presidentit, Ardian Arifaj tha se sot po realizohet premtimi i dhënë përmes një bisede telefonike para disa ditëve i presidentit të Turqisë, Recep Tayyp Erdogan.

Këto ndihma, sipas tij, do t’iu shërbejnë mjekëve në këtë kohë pandemie, dhe njëherësh dëshmojnë për miqësinë ndërmjet dy vendeve.