Polonia përkujton 10-vjetorin e tragjedisë së Smolenskut
Polonia përkujtoi sot 10-vjetorin e tragjedisë së rrëzimit të një avioni në Smolensk, ku humbën jetën 96 persona, përfshirë presidentin polak, Lech Kaczynski, bashkëshorten e tij si dhe një numër zyrtarësh të lartë politikë dhe ushtarakë.
Në orën 08:41 (06:41 GMT), saktësisht 10 vjet pas rrëzimit, më 10 prill 2010, zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë vëllain e Lech Kaczynskit, Jaroslawin, drejtuesin e partisë qeverisëse ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), kryeministrin Mateusz Morawiecki dhe kryetaren e Dhomës së Ulët të parlamentit polak, Elzbieta Witek, vendosën kurora në monumentin e Lech Kaczynskit si dhe monumentin kushtuar viktimave të rrëzimit të avionit.
Për shkak të epidemisë së koronavirusit në Poloni, shtrirja e ngjarjeve përkujtimore është shkurtuar ndjeshëm.
Më 10 prill 2010, një delegacion shtetëror polak po shkonte drejt Smolenskut, në Rusi, për të përkujtuar vrasjen e afro 22 000 qytetarëve polakë, përfshirë oficerë, policë dhe zyrtarë publik, nga shërbimi sekret sovjetik NKVD, në pranverën e vitit 1940.
Ndërkohë, Polonia njoftoi një javë më parë se nuk do ta dërgonte asnjë delegacion qeveritar në Smolensk, Rusi, më 10 prill.
“U mor vendim që të shtyhet vizita e 10 prillit në Smolensk”, tha kryeministri Mateusz Morawiecki në një takim me një delegacion qeveritar dhe parlamentar.
Sipas tij, Rusia nuk ka dhënë një përgjigje me shkrim për këtë vizitë.
”Rrethanat e bëjnë të pamundur për të organizuar këtë vizitë në përputhje me procedurat e sigurisë në fuqi. Kjo vizitë sigurisht do të bëhet në një datë të mëvonshme”, tha shefi i kabinetit i qeverisë polake, Michal Dworczyk.
Shkaqet e katastrofës kanë qenë objekt i një debati të ndezur politik në Poloni.
Rusia deri më tani ka refuzuar të kthejë mbetjet e avionit në Poloni duke thënë se hetimi i tij nuk ka përfunduar, gjë që ka nxitur spekulime./atsh/























