Kina raporton numër rekord të të infektuarve të ardhur
Autoritetet kineze i kanë raportuar 99 raste të reja të koronavirusit, dyfish më shumë se një ditë më parë. Kjo është shifra më e lartë në muajin e fundit, ndërsa u shënua rekord në numrin e infektimeve të jashtme.
Rritje shënoi edhe numri i personave të infektuar, të cilët nuk kanë simptoma. Gjatë 24 orëve të kaluara, u zbuluan 63 raste të tilla, njoftoi Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Një ditë më parë ishin shënuar vetëm 34 raste të të infektuarve pa simptoma.
Pothuajse të gjitha rastet e reja të të infektuarve janë persona të ardhur nga jashtë. Vetëm 2 nga 99 të infektuarit virusin e kishin marrë brenda vendit, shkruan “Reuters”.
Komisioni komunal i shëndetësisë në Shanghai raportoi më së shumti raste. Në këtë qytet u shënuan 52 infektime të reja. Të gjithë personat e prekur kishin ardhur nga shtetet e huaja. Shumica prej tyre kishin ardhur nga Rusia.
Deri më tani, Kina i ka shënuar 3,339 viktima dhe 82,052 persona të infektuar, shifra mjaft të vogla në krahasim me numrin e popullsisë dhe në krahasim me Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të BE-së.























