Spitalet britanike kanë mungesë të qeseve, kufomat mbështillen me mbulesa
Drejtorët e shërbimeve për funerale kanë thënë se spitalet në mbarë Britaninë po përballen me mungesë të qeseve për kufoma dhe po detyrohen që ato t’i mbështjellin me mbulesa të shtretërve.
Një punëtor i shërbimeve funerale e ka incizuar veten pranë një kufome të mbështjellur me mbulesë të shtratit pas vdekjes nga koronavirusi.
Më pas ai dëgjohet duke thënë: “E vetmja gjë me të cilën është mbuluar kufoma është kjo, nuk ka qese. Kjo nuk është shaka. Shkoj në spitale të ndryshme dhe kam fakte dhe numra se shërbimi shëndetësor ka mbetur pa qese të kufomave.”
Ndonëse mungesa e këtyre qeseve duket më e madhe në Londër, ajo është përhapur në mbarë vendin. Jonathan Robinson, i cili merret me shërbime funerale, tha: “Mungesa e qeseve të kufomave është shumë e përhapur. Ne jemi të vetëdijshëm se një furnizues i madh në Britani ka mbetur pa rezerva.”
Sidoqoftë, zyrtarët e shëndetit publik në Angli kanë deklaruar se qeset për kufoma nuk janë të domosdoshme për viktimat e koronavirusit, sepse virusi zhduket shpejt pas vdekjes, shkruan “Daily Mail”.
Sipas faqes “Ëorldometers”, Britani e Madhe deri më tani i ka regjistruar 9,875 viktima dhe 78,991 të infektuar me koronavirus.























