Spanja lehtëson disa nga masat kufizuese
Kryeministri Spanjoll Pedro Sánchez do të heqë disa kufizime në lëvizjet dhe shërbimet pavarësisht se mijëra raste të reja të koronavirusit raportohen çdo ditë në vend.
Duke folur në një konferencë për shtyp të dielën e Pashkëve më 12 prill, Sánchez paralajmëroi popullin spanjoll të tregojë kujdes edhe pse shkalla e të infektuarve dhe vdekjeve nga koronavirusi vazhdon të ngadalësohet, shkruan CNN.
"Unë dua të jem i qartë, ne as nuk po hyjmë në fazën e dytë. Gjendja e alarmit vazhdon, për pasojë mbyllja e përgjithshme vazhdon."
Sánchez tha se heqja e kufizimeve, disa prej të cilave do të fillojnë të hënën më 13 prill, do të jetë progresive dhe e matur. Spanja ka qenë një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit, me të paktën 166.831 infeksione dhe 17,209 viktima nga e diela e 12 prillit, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.
Sanchez tha se ai merr përgjegjësinë mbi furnizimin e pamjaftueshëm të pajisjeve mbrojtëse siç janë maskat, por sipas tij e gjithë bota kishte qenë e papërgatitur.
''Spanja ka filluar të garantojë sigurimin sistematik të këtyre materialeve, dhe po ndërmerr hapa për të mbrojtur personelin e kujdesit shëndetësor'', tha Sanchez.
Përballë kritikës në rritje nga partitë e tjera të qeverisë për trajtimin e koronavirusit, Sánchez gjithashtu bëri thirrje për një reagim politik të bashkuar, në Spanjë dhe në Evropë.























