Kreu i OKB-së bën thirrje që të vazhdojë mbështetja për OBSH-në
BKT
   Bota

Kreu i OKB-së bën thirrje që të vazhdojë mbështetja për OBSH-në

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se nuk është koha e ndërprerjes së fondeve për operacionet e organizatave humanitare si dhe për OBSH-në.

Pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA ndërpret fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i cili përmes një deklarate me shkrim bën thirrje për mbështetjen e OBSH-së, transmeton Anadolu Agency.

"Është absolutisht kritike për përpjekjet botërore për të fituar luftën kundër COVID-19", shprehet mes tjerash Guterres.

Ai paralajmëroi se nuk është koha për ndërprerjen e fondeve për operacionet e organizatave humanitare si dhe për OBSH-në.

"Siç kam thënë më herët, tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese", tha ai.

Trump tha se nëse OBSH-ja do të kryente punën e saj duke dërguar ekspertë në Kinë për të vlerësuar situatën në terren, përhapja mund të ishte përmbajtur në burim me shumë pak vdekje.

Sipas të dhënave të Universitetit "Johns Hopkins", numri i të vdekurve në SHBA është mbi 25 mijë, me mbi 600 mijë raste të konfirmuara me COVID-19.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën ndërsa OBSH-ja shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.