Qeveria britanike akuzohet për keqmenaxhim të krizës COVID-19
Kryeministri britanik raportohet se ka humbur pesë takime të rëndësishme, përkundër "gjendjes shumë të dobët të përgatitjeve për pandeminë".
Një raport investigues nga gazeta britanike "The Sunday Times" tronditi qeverinë e Britanisë së Madhe, në të cilin pretendohet se janë bërë një seri gabimesh të mëdha që nga fillimi i hershëm i shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) në fund të janarit dhe shkurtit, transmeton Anadolu Agency.
Në pjesën e titulluar "Koronavirusi: 38 ditë kur Britaninë e zuri gjumi në fatkeqësi", thuhet se kryeministri Boris Johnson humbi një seri takimesh të rëndësishme dhe se stoqet e pajisjeve mbrojtëse personale (PPE) nuk u rimbushën, si dhe kapaciteti i testimit nuk u grumbullua mjaft shpejt.
Autoritetet shëndetësore britanike njoftuan të dielën se numri i vdekjeve në mbarë Britaninë e Madhe nga koronavirusi kishte tejkaluar shifrën 16.000.
Britania humbi "pesë javë të rëndësishme në luftën për të trajtuar kërcënimin e rrezikshëm të koronavirusit, pavarësisht se ishte në një gjendje të dobët përgatitore për pandeminë", thuhet në raport.
Johnson humbi pesë takime të "Cobra", këshilli i urgjencës së qeverisë që mblidhet në kohë krize, sipas raportit.
Raporti shtoi se Britania e Madhe dërgoi 279.000 copë pajisje mbrojtëse personale në Kinë pavarësisht se nuk kishte rimbushur rezervat e veta në përgatitje për rastet në rritje; prova e fundit e pandemisë ishte në vitin 2016 dhe u gjet se Britanisë së Madhe i mungonin si pajisje mbrojtëse personale ashtu dhe ventilatorët, por nuk u veprua në bazë të rekomandimeve; përgatitjet për Brexit pa marrëveshje "thithën tërë gjakun nga planifikimi i pandemisë"; dhe se përkundër ndihmës së ofruar nga Shoqata Britanike e Tregtisë së Shëndetit për të pasur pajisje mbrojtëse personale që në shkurt, oferta e tyre u pranua vetëm më 1 prill.
Më tej thuhet se herët, anëtarët kryesorë për përgjigje nga kabineti qeveritar u angazhuan për idenë e imunitetit të turmës, diçka që qeveria është detyruar të mohojë në mënyrë të përsëritur në javët dhe muajt e fundit.
Kur Kina informoi OBSH-në për një numër jo normal të rasteve të pneumonisë në qytetin e saj qendror, Wuhan, Johnson ishte për pushime në një ishull privat të Karaibeve.
Ai humbi takimet e "Cobra-s", por gjeti kohë për t'u marrë me përgatitjet e fundit për Brexit, si dhe për të marrë pjesë në festimet për Vitin e Ri Kinez.
Raporti theksoi se Johnson ishte gjithashtu i hutuar me çështje private, përkatësisht përfundimin e divorcit dhe njoftimin e fejesës me të dashurën e tij shtatzënë Carrie Symonds.
"Nuk ka asnjë mënyrë që të jeni në luftë nëse kryeministri juaj nuk është aty. Dhe çfarë mësoni për Boris është se ai nuk kryesoi asnjë takim. Atij i pëlqyen dëmtimi i vendit të tij. Ai nuk punon në fundjavë. Ngjason sikur të punosh për një shef ekzekutiv të modës së vjetër në një autoritet lokal 20 vjet më parë. Ka një kuptim real se ai nuk e bëri planifikimin urgjent të krizës. U bë tamam ashtu sikur njerëzit kishin frikë se do të bëhej", citohet të ketë thënë një këshilltar i lartë anonim i Downing Street.
Raporti fajësoi gjithashtu masat shtrënguese të qeverisë për mungesën e përgatitjeve, duke cituar të njëjtin burim qeveritar të thoshte: "Ne ishim zilia e botës, por planifikimi i pandemisë u bë viktimë e viteve të kursimit, kur kishte më shumë nevoja të ngutshme".
Opozita në sulm
Sir Keir Starmer, udhëheqësi i Partisë kryesore opozitare Laburiste shkroi në një gazetë tjetër britanike, "Mail" të dielën, se "qeveria ishte shumë e ngadaltë për marrjen e masave të bllokimit. Ka qenë shumë e ngadaltë në rritjen e numrit të njerëzve për t’u testuar.
"Ka qenë shumë e ngadaltë për furnizimin me pajisje të nevojshme për stafin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar që u duhen për t'i mbajtur të sigurt. Ne duhet të sigurohemi që këto gabime të mos përsëriten. Dhe kjo javë ka ekspozuar sesi qeveria ka qenë shumë e ngadaltë për t'iu përgjigjur urgjencës në rritje në shërbimet tona të kujdesit shoqëror", tha ai.
Sekretari i Shëndetësisë në Hije, Jonathan Ashworth, tha se kishte "çështje serioze se pse kryeministri anashkaloi pesë takime Cobra gjatë gjithë shkurtit, kur e gjithë bota e shihte se sa serioze po bëhej kjo".
"Këto raporte ngrenë pyetje serioze në lidhje me përgjigjen e menjëhershme të qeverisë ndaj kësaj pandemie dhe nëse ata ishin shumë të ngadaltë për të vepruar. Janë bërë gabime, veçanërisht rreth pajisjeve mbrojtës dhe testimit".
Qeveria në mbrojtje
Ministri i qeverisë, Michael Gove i tha BBC-së: "Ideja se pse kryeministri i anashkaloi takimet që ishin jetike për përgjigjen tonë ndaj koronavirusit mendoj se është groteske".
"E vërteta është se ka takime në qeveri, disa prej të cilave kryesohen nga sekretari i shëndetësisë, disa prej të cilave kryesohen nga ministrat e tjerë, por të gjitha vendimet kryesore i merr kryeministri. As njëri, kur e merrni parasysh atë që ka kaluar Kryeministri kohët e fundit, askush nuk mund të thotë se kryeministri nuk ka punuar me zemër dhe shpirt rreth kësaj", tha ai.
"Kushdo që kryeson ato mbledhje i raporton kryeministrit. Kryeministri është i vetëdijshëm për të gjitha këto vendime dhe merr disa nga ato vendime. Mund të marrësh një fakt të vetëm, ta heqësh nga konteksti, ta fshish në mënyrë që të krijosh një narrativë të denoncimit të hidhur. Por kjo nuk është raportim i drejtë", tha ai.
Vetë Johnson ende po shërohet nga koronavirusi në Checkers, shtëpia në fshat e kryeministrit britanik.
Zëdhënësi i qeverisë tha: "Përgjigja jonë ka siguruar që Shërbimi Shëndetësor Kombëtar të marrë të gjithë ndihmën që i nevojitet për të siguruar që të gjithë ata që kërkojnë trajtim ta kenë, si dhe sigurimin e mbrojtjes për bizneset dhe sigurimin e punëtorëve. Kryeministri ka qenë në krye të përgjigjes ndaj kësaj, duke siguruar lidership gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht sfiduese për të gjithë kombin".
Pas shfaqjes për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën, ku aktualisht më të goditura janë Evropa dhe SHBA.























