Kina përgënjeshtron pretendimet se COVID-19 ka dalë nga laboratori
Drejtori i Institutit të Virologjisë në Wuhan ka deklaruar se pretendimet që COVID-19 rrjedh nga laboratori kanë për qëllim hutimin e njerëzve dhe ndërhyrjen në luftën kundër pandemisë dhe punimet shkencore të Kinës.
Instituti i Virologjisë në Wuhan të Kinës përgënjeshtroi pohimet e medias amerikane që koronavirusi i ri (COVID-19) ka dalë nga laboratori, transmeton Anadolu Agency.
Sipas televizionit CGTN (China Global Television Network), drejtori i institutit Yuan Zhiming ka deklaruar se pretendimet që COVID-19 rrjedh nga laboratori kanë për qëllim hutimin e njerëzve dhe ndërhyrjen në luftën kundër pandemisë dhe punimet shkencore të Kinës.
Ai tha se e dinë se mbi cilat viruse punojnë në Laboratorin Kombëtar të Biosigurisë në Wuhan (Laboratori P4 në Wuhan) që vepron në kuadër të institutit.
"Siç kemi thënë edhe më parë, nuk ekziston asnjë mënyrë që virusi të dalë nga ne", shtoi Yuen.
Ndërkaq, lidhur me atë se virusi është krijuar nga dora e njeriut, Yuen tha: "Ka vërtet shumë artikuj në revistat akademike. Sipas të kuptuarit tim personal të virologjisë, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se virusi ka gjurmë artificiale ose sintetike".
Ai theksoi se nuk ka asnjë provë ose informatë për pretendimet se COVID-19 është prodhim laboratorik dhe shtoi se këto pretendime bazohen tërësisht në spekulime.
Yuen po ashtu nënvizoi se COVID-19 nuk ka infektuar asnjë punonjës të laboratorit.
Reagimi i Kinës erdhi pasi gazeta amerikane Washington Post më 14 prill shkroi se në vitin 2018, kanalet diplomatike amerikane në Kinë kishin shprehur shqetesime për "studimet e laboratorit në Wuhan mbi koronaviruset beta te lakuriqët" dhe për shkak të kushteve të sigurisë dhe ato shëndetësore në laborator.
Ndërkaq, më 16 prill, CNN raportoi se inteligjenca amerikane vlerëson mundësinë që virusi gabimisht të ketë dalë nga laboratori në Wuhan.
Presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me këto pretendime ka paralajmëruar një "hetim gjithëpërfshirës".























