Zvicër, OBSH: Të mos neglizhohen shërbimet e tjera shëndetësore
Vendet e Azi-Paqësorit nuk duhet të neglizhojnë shërbimet e tjera shëndetësore përballë shpërthimit të koronavirusit, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke përmendur se rajoni mund të përballet me një krizë të re nëse sëmundjet e tjera nuk do të jenë nën kontroll.
“Përgjigja ndaj COVID-19 nuk duhet të ndalojë shërbime shëndetësore si imunizimi dhe trajtimi i sëmundjeve akute dhe kronike që prekin miliona njerëz në rajon”, deklaroi Takeshi Kasai, drejtori rajonal i OBSH-së për Paqësorin Perëndimor.
“Nëse lejojmë që COVID-19 të prishë programet e imunizimit, rajoni ynë mund të përballet me krizë të re, në një kohë kur sistemet shëndetësore janë tashmë të tensionuara”, theksoi ai në një konferencë nga zyra rajonale e OBSH-së për Paqësorin Perëndimor në Manila.
Kasai vuri në dukje se kur ulet shkalla e vaksinimit, sëmundjet infektive që kanë qenë prej kohësh nën kontroll ose madje edhe drejt eleminimit, kthehen, duke përmendur raste të reja të poliomielitit dhe shpërthimit të fruthit në vende të ndryshme të rajonit vitin e kaluar.























