12:28 / 21.04.2020
SINGAPOR – Mbi 1 000 raste të reja me COVID-19 për të dytën ditë radhazi
Ministria e Shëndetësisë në Singapor njoftoi sot 1 111 raste të reja me COVID-19.
Singapori ka regjistruar 9 125 raste me koronavirus, një rritje nëntëfish që nga fillimi i prillit.
Ministria njoftoi se pjesa më e madhe e rasteve të konfirmuara sot, janë shtetas të huaj të pajisur me leje pune, që qëndrojnë në dhjetëra konvikte, të ndërtuara me qëllim strehimin e qindra mijëra migrantëve nga e gjithë Azia.
Kjo ishte dita e dytë radhazi që Singapori raportoi më shumë se 1 000 raste të reja me COVID-19, pasi ministria njoftoi dje një rekord prej 1 426 rastesh të reja.
Këto shifra e bëjnë Singaporin, një qytet shtet i pasur me popullsi prej 5,8 milionë banorësh, vendin me më shumë raste të konfirmuara sesa nga fqinjët në Azinë Juglindore./atsh/























