Turqia konfiskon 700 mijë maska të prodhuara në mënyrë të paligjshme
Duke vepruar sipas informatave paraprake, ekipet e xhandarmërisë provinciale kryen bastisje në tre lokacione të ndryshme në provincën jugore Adana.
Forcat turke të sigurisë kanë konfiskuar 700 mijë maska për fytyrë të cilat u prodhuan dhe u shitën në mënyrë të paligjshme në provincën jugore Adana, transmeton Anadolu Agency.
Duke vepruar sipas informatave paraprake, ekipet e xhandarmërisë provinciale kryen bastisje në tre lokacione të ndryshme në qarqet Seyhan dhe Çukurova, thanë burimet, të cilët kërkuan të mbesin anonime për shkak të kufizimeve për prononcim për mediat.
Gjatë operacioneve policore u arrestuan 4 të dyshuar.
Disa nga maskat, të cilat plotësonin kriteret e prodhimit të Ministrisë së Shëndetësisë, iu dorëzuan Drejtorisë Provinciale të Bujqësisë dhe Pylltarisë së Adanës.
Më 5 prill, Turqia filloi të shpërndajë falas maskat për qytetarët për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) në vend.
Çdo qytetar, përveç atyre të moshës nën 20 vjeç apo më të moshuar se 65 vjeç, mund të aplikojë për pesë maska falas çdo javë.
Turqia vendosi kufizime për personat nën 20 vjeç apo më të moshuar se 65 vjeç dhe atyre nuk u lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare të djeshme, Turqia ka konfirmuar gjithsej 2.376 raste të vdekjeve nga COVID-19, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 98.674.
Koronavirusi, që nga shfaqja në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të gjithë botën, ku aktualisht më të goditura janë SHBA-të dhe Evropa.
Më shumë se 2,62 milionë raste me COVID-19 janë raportuar në të gjithë botën, me mbi 183 mijë vdekje dhe mbi 711 mijë të shëruar, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA.























