Australi, kamioni godet për vdekje 4 policë që kishin ndaluar një makinë
BKT
   Bota

Australi, kamioni godet për vdekje 4 policë që kishin ndaluar një makinë

"Kjo tragjedi është humbja më e madhe e jetëve të policëve në një incident të vetëm në shtetin e Victoria-s", tha shefi i Komisariatit të Policisë në Victoria, Graham Ashton.

Një kamion përplasi për vdekje 4 efektivë të policisë që kishin ndaluar një makinë në një autostradë të qytetit Melbourne të Australisë, transmeton Anadolu Agency.

Shoferi 41-vjeçar i një "Porsche 911" i cili ishte ndaluar nga policia në autostradë për tejkalim të shpejtësisë të mërkurën në mbrëmje, përjetoi pamje të tmerrshme nga skena e përplasjes që pasoi, tha shefi i Komisariatit të Policisë në Victoria, Graham Ashton.

Shoferi i "Porsche"-së pastaj iku në këmbë dhe imazhet i postoi në internet, tha Ashton.

"Kjo tragjedi është humbja më e madhe e jetëve të policëve në një incident të vetëm në shtetin e Victoria-s", shtoi ai.

Shoferi i kamionit me frigorifer po mbahet në një spital. Ai kishte humbur vetëdijen, tha Ashton. Mbetet e paqartë nëse përplasja ishte aksident apo e qëllimshme, tha ai.

Shoferi i "Porsche"-së, i cili ka një precedent penal, është arrestuar nga policia dhe po merrej në pyetje nga detektivët e vrasjeve, tha Ashton. Ai ishte ndaluar mbi 50 minuta para përplasjes për tejkalim të shpejtësisë me 40 kilometra (25 milje) në orë mbi kufizimin e shpejtësisë, tha policia.

Ai më pas rezultoi pozitiv me drogë të paligjshme. Policia ishte në korsinë emergjente të ndalimit duke kryer përgatitjet e konfiskimit të makinës kur u përplasën.

Kamioni goditi pjesën e pasme të makinës së policisë, duke e rrotulluar atë nga korsia, përpara se të përplaste "Porsche"-në, e cila u fut nën kabinë.

Të gjithë policët e pranishëm, tre burra dhe një grua vdiqën në vendin e ngjarjes.