New Yorku heq urdhrin të mosringjalljes
Urdhri i mosringjalljes apo DNR i lëshuar javën e kaluar në New Yorkun e goditur nga COVID-19 udhëzon paramedikët që të mos ringjallnin pacientët pa puls.
Shteti federal i New Yorkut në SHBA ka shfuqizuar urdhrin e diskutueshëm të mosringjalljes apo DNR, i cili udhëzoi paramedikët që të mos ringjallnin pacientët pa puls, në mes të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency.
"Ky udhëzim, i propozuar nga drejtuesit shëndetësorë të Sistemeve Rajonale të Kontrollit Mjekësor të Shërbimit të Emergjencës Mjeksore (EMS) dhe Këshillit Shtetëror Këshillëdhënës, në përputhje me udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Zemrës, bazuar në standardet e rekomanduara nga Kolegji Amerikan i Mjekëve të Urgjencës dhe i miratuar në shumë shtete të tjera, të lëshuar më 17 prill 2020 me rekomandimin e Byrosë së Shërbimeve Mjekësore të Urgjencës, reflekton standarde minimale të njohura në shkallë vendi", deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shëndetësisë, Jill Montag.
"Ato nuk reflektojnë standardet e New Yorkut dhe për këtë arsye Komisioneri i Departamentit të Shëndetësisë (DOH) dr. Howard Zucker ka urdhëruar shfuqizimin e tyre", shtoi ajo.
Para se fillimisht të lëshohej urdhri, personelit të emergjencës iu tha që të përpiqen të ringjallin pacientët e gjendur në arrest kardiak deri në 20 minuta, që është një praktikë tradicionale.
Disa punonjës shëndetësorë shprehën shqetësime për direktivën, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me betimin e tyre profesional për të shpëtuar jetë.
Përdoruesit e mediave sociale kritikuan zyrtarët në New Yorkut për propozimin se kush do të jetojë dhe kush do të vdes.
Urdhri mori 'dritën e gjelbër' javën e kaluar nga Departamenti i Shëndetësisë, i cili vlerësoi se është "i domosdoshëm gjatë përgjigjes ndaj COVID-19 për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e personelit të Shërbimit të Emergjencës Mjeksore duke kufizuar ekspozimin e tyre, konservimin e burimeve dhe sigurimin e përdorimit optimal të pajisjeve për të shpëtuar një numër sa më të madh të jetëve".
Në fillim të këtij muaji, një udhëzim tjetër për profesionistë në New York City dhe Long Island thoshte se pacientët me atak kardiak nuk duhet të transportohen në spitale nëse nuk mund të shpëtohen në vendngjarje, një direktivë e diskutueshme që erdhi pasi spitalet janë të mbingarkuara me një fluks të pacientëve me COVID-19.
Numri i të vdekurve nga COVID-19 në SHBA ka tejkaluar shifrën 46 mijë, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins".
New Yorku është shteti më i goditur me 19.111 vdekje dhe më shumë se 258.500 raste të konfirmuara me koronavirus, i ndjekur nga New Jersey me 4.753 vdekje dhe afro 92.400 raste.























