Suedia e përgatitur për një valë të dytë të koronavirusit
Epidemiologu Anders Tegnell i cili është edhe arkitekti i strategjisë ndaj Covid-19 në Suedi, ka deklaruar se ekspozimi i qytetarëve ndaj virusit mund ta përgatisë vendin për t`i bërë ballë një vale të dytë të infeksioneve.
Suedia ka ndërmarrë një qasje relativisht të ndryshme ndaj kufizimeve të lidhura me koronavirusin nëse krahasohet me vendet e tjera evropiane.
"Ka funksionuar në disa aspekte," i tha Tegnell radio BBC. "Ka funksionuar sepse sistemi ynë shëndetësor ka qenë në gjendje ta përballojë. Gjithmonë ka pasur të paktën 20% të shtretërve të kujdesit intensiv bosh dhe në gjendje të kujdesen për pacientët Covid-19".
Tegnell vlerësoi se një nivel imuniteti nga 15% deri në 20% ishte arritur në popullatën e Stokholmit, për të cilën ai tha se "do të ngadalësojë përhapjen e një valë të dytë".
Por ai paralajmëroi se nuk do të ishte e mjaftueshme për të arritur imunitetin e tufës, dhe se ende nuk dihet shumë për imunitetin ndaj sëmundjes.
I pyetur nëse numri i të vdekurve do të ishte më i ulët nëse Suedia do të kishte zbatuar kufizime më të rrepta, Tegnell u përgjigj se: "Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t'u përgjigjur në këtë fazë. Të paktën 50% e numrit tonë të vdekjeve është brenda azileve të të moshuarve dhe ne kemi një kohë të vështirë duke kuptuar sesi një bllokim do të ndalonte futjen e sëmundjes në këto azile".
Suedia ka raportuar 16,755 raste me Covid-19, dhe 2,021 viktima, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.























