RD e Kongos vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të COVID-19
BKT
   Bota

RD e Kongos vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të COVID-19

Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është marrë në muajin mars dhe duhej të skadonte mesnatën e së premtes, por u vazhdua për 15 ditë.

Parlamenti i Republikës Demokratike të Kongos ka votuar vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme për 15 ditë me qëllim të asgjësimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency.

Vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është marrë në muajin mars dhe duhej të skadonte në mesnatën e së premtes, por u vazhdua për 15 ditë të tjera.

Në këtë vend deri tani janë regjistruar 359 raste të koronavirusit dhe 25 të vdekur.

Jeanine Mabunda, kryesuese e Dhomës së Poshtme të Parlamentit, pas vendimit për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme deklaroi se mbarë vendi është i bashkuar në luftën kundër, siç tha, armikut të rrezikshëm të përbashkët të mbarë njerëzimit.

DR e Kongos njoftoi rastin e parë me COVID-19 më 10 mars ndërsa sëmundja është përhapur në të paktën katër provinca.

Më 24 mars, presidenti Felix Tshisekedi shpalli gjendje të jashtëzakonshme, duke njoftuar mbylljen e të gjithë kufijve dhe ndalimin e të gjitha udhëtimeve midis kryeqytetit dhe 25 provincave të vendit.

Kinshasa, me mbi 11 milionë banorë, mbetet epiqendra e pandemisë.