Parisi, Berlini, Roma dhe BE kërkojnë një armëpushim në Libi
BKT
   Bota

Parisi, Berlini, Roma dhe BE kërkojnë një armëpushim në Libi

Gjermania, Franca, Italia dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian kërkuan një armëpushim humanitar në Libi me rastin e Ramazanit, që filloi të premten në vend, në një komunikatë të përbashkët.

“Në këtë fillim të muajit të Ramazanit, ne dëshirojmë t’i bashkohemi thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dhe përfaqësueses së OKB-së për Libinë, Stephanie Williams, për një armëpushim humanitar në Libi”, nënvizojnë ata.

“Konflikti vazhdon me të njëjtin intensitet dhe zhvillimet e javëve të fundit kanë ngjallur shumë shqetësim, veçanërisht për popullsinë libiane, që po vuan prej shumë kohësh”, theksojnë ata me keqardhje.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve libianë të frymëzohen nga shpresa e Ramazanit dhe të angazhohen në një rifillim diskutimesh për një armëpushim të vërtetë dhe të bashkojnë forcat përballë armikut të përbashkët që përbën rreziku i zgjatjes së pandemisë së COVID-19 në interes të të gjithë vendit ”, përfundojnë ata.

E zhytur në kaos që nga rënia e regjimit të Muammar Gadafit në 2011, Libia është ndarë sot nga një luftë për pushtet mes Khalifa Haftar, burri i hekurt i lindjes libiane dhe GNA, me qendër në Tripoli dhe mbështetur nga OKB.