RUMANI – Shkollat dhe universitetet të mbyllura deri në shtator
BKT
   Bota

RUMANI – Shkollat dhe universitetet të mbyllura deri në shtator

Rumania ka braktisur idenë e rihapjes së çerdheve, shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë përpara shtatorit, duke e konsideruar të pamundur zbatimin e masave paraprake kundër koronavirusit, njoftoi sot presidenti rumun Klaus Iohannis.

“Për shembull, do të ishte e pamundur për studentët të zbatonin rregullat e distancimit sociale, kështu që ne duam të shmangim ndonjë rrezik serioz”, tha kreu i shtetit në televizion.

Një përjashtim do të bëhet për studentët në vitin e provimeve, të cilët do të lejohen të shkojnë në klasë 10 ditë në qershor për t’u përgatitur për diplomimin e tyre.

Të tjerët do të duhet të vazhdojnë të ndjekin kurse në distancë, të bëra të detyrueshme nga qeveria javën e kaluar.

Gjendja e jashtëzakonshme dhe kufizimet e lëvizjes do të hiqen pjesërisht më 15 maj dhe vënia e maskave ​​në vende të mbyllura publike dhe në transportin publik do të bëhet e detyrueshme.

Një nga vendet më të varfëra në Bashkimin Evropian, Rumania regjistroi të hënën 11 339 raste të kontaminimit me koronavirusin e ri dhe 631 vdekje, për një popullsi prej 19 milionë banorësh./atsh/