Marrëveshja pas Brexit e mundur pavarësisht COVID-19
BKT
   Bota

Marrëveshja pas Brexit e mundur pavarësisht COVID-19

Londra siguroi sot se marrëveshje e tregtisë së lirë pas Brexit-it me Bashkimin Evropian është ende e mundur, pavarësisht vështirësive nga kriza e koronavirusit të ri dhe dyshimet e Brukselit.

Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga BE më 31 janar, pas 47 viteve marrëdhënie të stuhishme dhe shpreson të përfundojë një marrëveshje pas Brexit para përfundimit të një periudhe tranzistore, gjatë së cilës rregullat europiane vazhdojnë të zbatohen, në fund të dhjetorit.

“Mundësitë për ta arritur këtë para kësaj date janë më shumë se “dy me një”, tha ministri britanik Michael Gove, krahu i djathtë i kryeministrit Boris Johnson.

Gjithashtu, ai përmendi se qeveria refuzon të zgjasë periudhën e tranzicionit, që, sipas saj, do t’u kushtonte taksapaguesve britanikë miliarda stërlina.

“Zgjatja e periudhës tranzitore do të thotë t’i japim para BE-së, të cilat shumë prej nesh besojnë se do të shpenzoheshin më mirë për të mbështetur shërbimin publik shëndetësor britanik ose ekonominë tonë”, gjykoi ai.

Kalendari pas Brexit, i cili ishte konsideruar ambicioz edhe para pandemisë së COVID-19, është çorientur nga përhapja e virusit, i cili ka prekur shumë vende europiane, përfshirë Britaninë e Madhe, me më shumë se 21 000 vdekje./atsh/