Karantina nuk ndal trafikun, dy skafe me 900 kg drogë nisen drejt Barit
BKT
   Bota

Karantina nuk ndal trafikun, dy skafe me 900 kg drogë nisen drejt Barit

Antimafia Italiane, në bashkëpunim me Repartin Operativ të Guardia di Finanza të Barit kanë kapur gjatë natës 2 skafe që po trafikonin drogë nga Ballkani drejt brigjeve të Puglias.

Operacioni ishte i autoriteteve italiane me ndihmën e rojes bregdetare të Barit. 

Dy skafet me gjatësi rreth 7 metra e të pajisura me motorr të fuqishëm jashtë bordit janë ndaluar në afërsi të brigjeve të Monopolit.

Në to janë sekuestruar 645 kg marijuanë e 250 kg hashash. Në pranga janë vënë 2 skafistë italianë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në njoftimin e saj zyrtar Guardia di Financa nuk saktëson se nga cilat brigje të Ballkanit janë nisur skafet.

Ngarkesa me drogë ishte konfeksionuar në 54 pako me peshë nga 2, 5 e 10 kg të pajisura me simbole e ngjyra të ndryshme në varësi të tipit të drogës, vendit të pordhimit e zonës ku do të dorëzohej në Itali.

Droga në treg do t’i sillte organizatës një fitim prej 10 milionë eurosh.