Itali, bizneset duan ``ringjalljen``
Karantina gati dymujore në Itali ka izoluar 60 milionë banorët e vendit por po rrezikon edhe të ardhmen e bizneseve të vogla. Ndërgjegjësimin për krizën ekonomike e prinë mbrëmjen e kaluar me protesta në heshtje pronarët e bareve dhe restoranteve.
Një projeksion me shkrimin "Ringjallje" ndriçoi të martën mbrëma kullën e katedrales së Shën-Markut në qytetin e Venecies.
Akti erdhi në vazhdën e apeleve që biznesi i vogël po i drejton qeverisë italiane për të lehtësuar masat disajavore shtrënguese të karantinës.
Prej dy muajsh, dyqanet, baret dhe restorantet në vend kanë mbetur pa të ardhura dhe kanë pezulluar aktivitetet për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Me planet e fundit, tregtia në vend mund të nisë vetëm pas 18 majit, ndërsa baret dhe restorantet nuk do të mund të operojnë para 1 qershorit.
"Në Venecie dhe Veneto ne duam që të rihapemi. Këta njerëz nuk kërkojnë të jetojnë me asistencën e qeverisë. Do vazhdojmë koncertet, eventet, ekspozitat kulturore dhe do e rifillojmë me bukuri, sepse bukuria ka për ta shpëtuar botën," u shpreh kryebashkiaku i Venecies, Luixhi Brunjaro, duke iu bashkuar sipërmarrësve të vegjël të qytetit të tij.
Në Romë, pronarët e bareve dhe restoranteve e vijuan ndërgjegjësimin në heshtje për krizën duke nxjerrë jashtë tavolinat boshe, me qirinjtë ndezur e me çelësat në duar.
Pronari i një lokali popullor në kryeqytet thotë se qeveria nuk u ka kthyer ende përgjigje për kërkesat.
"Ne vazhdojmë të paguajmë qiratë, faturat por pa fituar asnjë lek prej dy muajsh, dhe kjo pritet të zgjatë edhe një muaj tjetër. Në këtë situatë, do u kthejmë çelësat ose do ua shesim biznesin kujtdo që do na ofrojë edhe vlerën më të ulët."
Italia mban bilancin më të rëndë të viktimave në Europë, mbi 27 mijë jetë të humbura nga pandemia.
Nëse nuk vërehet një përkeqësim i situatës, qeveria ka planifikuar nga data 18 maj të rihapen gradualisht dyqanet, muzetë dhe libraritë me rregulla strikte të distancimit social, ndërsa për baret dhe restorantet largësitë mes tavolinave do jenë të paktën dy metra dhe personeli do shërbejë me maska dhe doreza.























