Koreja e Jugut, 38 të vdekur nga zjarri në një lokacion ndërtimi
BKT
   Bota

Koreja e Jugut, 38 të vdekur nga zjarri në një lokacion ndërtimi

Zyrtarët njoftuan se numri i të vdekurve mund të rritet, sepse shumë njerëz mund të jenë bllokuar brenda depos që ishte në ndërtim e sipër në Icheon, në jug të Seulit.

Të paktën 38 persona kanë humbur jetën sot pasi shpërtheu një prej zjarreve më të rënda në Korenë e Jugut në një lokacion ndërtimi afër kryeqytetit Seul, transmeton Anadolu Agency.

Zyrtarët njoftuan se numri i të vdekurve mund të rritet, sepse shumë njerëz mund të jenë bllokuar brenda depos që ishte në ndërtim e sipër në Icheon, në jug të Seulit.

Zjarri shpërtheu herët pasdite dhe qindra zjarrfikësve iu deshën disa orë për ta shuar atë. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan disa automjete të zjarrëfikësve dhe disa ambulanca përreth strukturës së dëmtuar, e cila u nxi plotësisht dhe u shemb nga njëra anë. Punëtorët e shpëtimit me kostume mbrojtëse të bardha u panë duke i mbajtur viktimat në qese të zeza.

Tetë punëtorë të ndërtimit po trajtohen për lëndime të rënda në spitalet e afërta, ndërsa dy të tjerë u lënduan lehtë. Zyrtarët thanë se rreth 30 punëtorë arritën të shpëtojnë, por të paktën një mbetet i zhdukur.

Zyrtarët janë duke hetuar shkakun e zjarrit, i cili ka gjasa të jetë shkaktaur nga një shpërthim teksa punëtorët ishin duke punuar në nivelin nëntokësor në këtë lokacion.

"Nuk kishte mbetur asnjë veshje (mbi punëtorët)", tha Seo Seung-hyun, drejtor i departamentit të zjarrfikësve në Icheon, duke shtuar se supozon që ka ndodhur një shpërthim i papritur i cili nuk u ka dhënë mundësi punëtorëve të shpëtonin.

Seo tha se viktimat që kanë humbur jetën në katet tjera, me siguri kanë thithur gazin toksik. Ai tha se më shumë se 400 zjarrfikës dhe punonjës të shpëtimit dhe rreth 120 automjete u vendosën në vendin e ngjarjes.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in u bëri thirrje zyrtarëve që të mobilizojnë "të gjitha burimet e disponueshme" në operacionin e kërkimit dhe shpëtimit, ndërsa kryeministri Chung Sye-kyun, vizitoi lokacionin për të inspektuar përpjekjet e shpëtimit.

Koreja e Jugut, një nga ekonomitë më të pasura të Azisë, për dekada me radhë përpiqet të përmirësojë standardet e sigurisë dhe të ndryshojë qëndrimet që e trajtojnë sigurinë në një pozitë të nënshtruar ndaj progresit ekonomik.

Në Icheon ndodhi edhe një zjarr tjetër masiv në vitin 2008, kur 40 punëtorë humbën jetën.

Përpos kësaj, 46 njerëz vdiqën në vitin 2018, kur një zjarr depërtoi në një spital të vogël pa sistem të spërkatjes në qytetin jugor Miryang.