Gjermani, vdekjet nga COVID-19 mund të jenë më të shumta se shifrat zyrtare
BKT
   Bota

Gjermani, vdekjet nga COVID-19 mund të jenë më të shumta se shifrat zyrtare

Kreu i Institutit Robert Koch, Lothar Wieler tha se vdekjet e pashpjegueshme janë rritur kohët e fundit në vend, që sipas tij, mund të jetë shenjë e rasteve të pazbuluara të vdekjeve nga COVID-19.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Gjermani mund të jetë më i lartë se numri zyrtar i vdekjeve, njoftoi agjencia gjermane për kontrollin e sëmundjeve, transmeton Anadolu Agency.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, kreu i Institutit Robert Koch, Lothar Wieler tha se vdekjet shtesë të pashpjegueshme, të ashtuquajturat "vdekje të tepërta", janë rritur kohët e fundit në vend.

"Supozojmë se vdekjet nga COVID-19 kanë qenë më shumë sesa janë regjistruar zyrtarisht", tha ai, por gjithashtu theksoi se instituti ka nevojë për statistika më të hollësishme për të arritur në një përfundim të besueshëm, i cili mund të jetë i mundur brenda disa muajve të ardhshëm.

Wieler tha se disa nga komplikimet vdekjeprurëse të virusit u zbuluan kohët e fundit, gjë që mund të shpjegojë pse statistikat zyrtare nuk mund të kapin të gjitha vdekjet e lidhura me COVID-19 në muajt e kaluar.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani arriti sot në 6.222, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara u rrit në 159.119, sipas Institutit Robert Koch, i cili përdor të dhënat zyrtare të paraqitura nga shtetet federale.

Sipas institutit, pothuajse 123.500 pacientë janë shëruar nga sëmundja.

Që nga shfaqja e parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në të gjithë botën, me SHBA dhe Evropën si zonat më të goditura.

Më shumë se 3.2 milionë raste janë raportuar në të gjithë botën, me numrin e vdekjeve që tejkalojnë 228 mijë dhe pothuajse 984 mijë të shëruar, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA.