Gjermania më pesimiste se Trump mbi një vaksinë kundër COVID-19
Ministri gjerman i Shëndetësisë theksoi se për një vaksinë kundër koronavirusit do të duheshin vite deri sa të dilte, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump parashikoi një vaksinë deri në fund të vitit 2020.
“Do të isha i kënaqur nëse do të ishte e mundur ta arrinim atë brenda disa muajsh, por duhet të qëndrojmë realist, kjo mund të zgjasë me vite sepse mund të ketë zhgënjime, ne jemi përballur me këtë dhe me vaksinat e tjera”, theksoi Jens Spahn në një intervistë në televizionin gjerman ARD.
“Zhvillimi i vaksinave bën pjesë në detyrat më të vështira të mjekësisë”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump theksoi gjatë një emisioni special në “Fox News” se një vaksinë kundër koronavirusit të ri do të jetë e disponueshme deri në fund të vitit 2020.
“Ne mendojmë se do të kemi një vaksinë deri në fund të këtij viti”, deklaroi Trump gjatë një emisioni special në “Fox News”.
“Mjekët do të thonë: – ju nuk duhet ta thoni këtë. Unë them atë që mendoj”, shtoi ai.
“Ne po punojmë shumë fort (…) mendoj se shumë grupe farmaceutike janë shumë afër”, shtoi ai.
Cili do të ishte reagimi i tij nëse një vend do të zbulonte një vaksinë përpara SHBA-së? “Nuk më intereson”, u përgjigj ai.
“Unë thjesht dua të kem një vaksinë që funksionon”, shtoi Trump.























