Trump: Mund të kemi vaksinë deri në fund të 2020-ës
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka thënë se "ka besim të madh" se deri në fund të këtij viti do jetë në dispozicion një vaksinë kundër koronavirusit. Ai njëherësh edhe ka dhënë një vlerësim për numrin përfundimtar të vdekjeve në SHBA.
Presidenti tha për Fox News të dielën mbrëma se që vaksina nuk është larg të qenit në dispozicion, se Kina është fajtori i Covid-19 dhe ekonomia jo vetëm që do të rimarrë veten por do të “rritet drastikisht”, shkruan The Guardian.
“Ne kemi shumë besim se do të kemi një vaksinë deri në fund të vitit,” tha Trump. Shkencëtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se prodhimi i një vaksine mund të zgjasë 12-18 muaj ose më gjatë.
Trump në prill parashikoi që koronavirusi do marrë 60 mijë jetë në SHBA. Por, me arritjen e kësaj shifre që në fillim të majit, i pari i vendit dha një numër fiks tjetër të vdekjeve.
“Ne do të humbasim diku nga 75, 80 deri në 100 mijë njerëz. Kjo është e tmerrshme”, u shpreh Trump.
Trump tregoi se agjencitë e inteligjencës do të lëshonin informacion të mëtejshëm të hënën në lidhje me virusin, por nuk arritën të japin detaje. I pyetur pse nuk ka vepruar më herët mbi epideminë, presidenti tha se më 23 janar u njoftua se “mund të vinte virusi, por nuk përbënte kërcënim serioz”.
Associated Press tha se një raport prej katër faqesh Departamenti i Inteligjencës së Sigurisë së Brendshme të datës 1 maj zbuloi se Kina ndaloi së informuari Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) lidhur me ngjitshmërinë e koronavirusit, kështu që mund të porosiste furnizime mjekësore nga jashtë, dhe se importet e maskave dhe dorezave kirurgjikale u rritën ndjeshëm.























