Shërbimet e Koresë së Jugut pretendojnë se Kim nuk ka pasur operacion
BKT
   Bota

Shërbimet e Koresë së Jugut pretendojnë se Kim nuk ka pasur operacion

Agjencia e inteligjencës koreano-jugore njoftoi sot se nuk ka shenja se lideri i Koresë së Veriut Kim Xhong Un, ka pasur operacion në zemër.

Kim nuk u pa në publik për tre javë, duke shkaktuar spekulime për shëndetin e tij dhe për atë se ku gjendej dhe më pas u shfaq të shtunën.

Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut (NIS), gjithashtu theksoi në takim me deputetët pas dyerve të mbyllura se Kim këtë vit ishte shfaqur në publik 17 herë, më pak se kurrë, kryesisht për shkak të angazhimit të tij për çështjet shtëpiake dhe ndikimit të pandemisë së koronavirusit.

“Kim vlerësohet të mos ketë pasur asnjë operacion në zemër ose procedurë mjekësore të zemrës”, tha Kim Bjung-ke, deputet nga Partia Demokratike në pushtet.

Agjencia, gjithashtu, theksoi që Kim kishte 66 për qind më pak aktivitete publike këtë vit se zakonisht.